‘Trainkos’ assesi t’i shlyej borxhet me kohë

Raporti i Auditorit për ndërmarrjen publike ‘Hekurudhat e Kosovës’-Trainkos Sh.A, në mes tjerash, gjeti se kjo ndërmarrje kishte më shumë se 85 mijë euro borxhe të cilat nuk i kishte paguar brenda afatit prej 30 ditësh.

“Gjatë auditimit kemi vërtetuar se Trainkos në tri (3) fatura me vlerë të përbashkët prej 85,553€ të cilat i kishte pranuar në muajt mars, prill dhe dhjetor 2019, nuk i kishte paguar brenda afatit kohor 30 ditësh pas pranimit të faturës nga Infrakos sh.a. Këto fatura ishin raportuar si detyrim në pasqyrat financiare të 2019, dhe nuk ishin paguar as edhe në tre mujorin e parë të vitit 2020. Kjo sipas zyrtarëve përgjegjës kishte ndodhur për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori tregon se mos pagesa e faturave ndaj operatorëve ekonomik nga ndërmarrja brenda afateve kohor të përcaktuara në kontratë rrit mundësinë e padive, apo shlyerjen e borxhit përmes përmbaruesve privat e cila mund të shkaktoj kosto shtesë për ndërmarrjen.

Sipas raportit, në marrëveshjen e lidhur ndërmjet Trainkos dhe Infrakos sh.a për ofrimin e shërbimeve të përbashkëta dhe pagesën e tyre, pika 13 përkufizon se pagesat e faturave duhet të bëhen më së largu brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të faturave të protokolluara nga arkivat përgjegjëse të dy ndërmarrjeve.

Bordi të drejtorëve iu rekomandua të sigurojë që të gjitha detyrimet ndaj operatorëve ekonomik paguhen brenda afateve kohore të dakorduara në kushtet e kontratës në mes dy palëve.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit është pajtuar menaxhmenti i ndërmarrjes.

Tutje, përmes letërkonfimimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, konfirmoj  se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Ndërmarrjes Publike “Hekurudha e Kosovës”-Tranikos Sh.A.