KRU ‘Prishtina’ nuk ka kontrata me më shumë se gjysmën e konsumatorëve që marrin shërbime të ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ nuk ka kontrata të lidhura me gjysmën e konsumatorëve për të cilët jep shërbim.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Pasqyrat Financiare për vitin 2022, nga 163 mijë konsumatorë për sa jep shërbime, kompania ka kontrata me vetëm 70 mijë konsumatorë.

“Sipas regjistrit të konsumatorëve kompania ofron shërbime për 163,737 konsumatorë ndërsa deri në fund të vitit 2022 kishte lidhur kontrata vetëm me 70,242 apo 42% të numrit total. Krahasuar me vitin paraprak kemi një rritje të lidhjes së kontratave me konsumatorë për 10%. Megjithatë, kompania gjatë vitit 2022 kishte lidhur kontrata me 21,461 konsumatorë” – thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo gjendje është bartur ndër vite dhe ekziston për shkak të mos bashkëpunimit të mjaftueshëm nga ana e konsumatorëve të cilat kanë neglizhuar vazhdimisht kërkesat e kompanisë për nënshkrimin e kontratave dhe sjelljen e një kopje në arkivin e kompanisë.

Derisa, mungesa e marrëdhënies kontraktuese me konsumatorë për shërbimet e ofruara, sipas ZKA-së, pamundëson aplikimin e masave ligjore ndaj këtyre konsumatorëve në rast të mos pagesës së borxhit.

Ligji nr. 06/L-088 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-042 për rregullimin e shërbimeve të ujit neni 24, përcakton që ofruesi i shërbimeve duhet të lidhë kontratë me secilin konsumator ku përcaktohen kushtet e përgjithshme sipas të cilave do t’u ofrohen shërbime konsumatorëve.