Tomë Gashi: Provat e rastit të Astrit Deharit të dërguara në Zvicër ishin të manipuluara e të dëmtuara

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka deklaruar se ekspertiza plotësuese e Institutit Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit ka vërtetuar se provat e dërguara kanë qenë të manipuluara dhe të dëmtuara dhe nuk janë ruajtur.

“Ne mund t’ju sqarojmë se kushdo që e sheh këtë ekspertizë plotësuese, kjo nuk mund të kuptohet nëse nuk i analizojnë ekspertizat e mëhershme që kanë qenë të shtatorit 2019, që ka qenë Instituti i njëjtë zviceran. Në këtë ekspertizë shtesë vërtetojmë se të gjitha këto prova që i ka dërguar prokurori i çështjes apo kushdo që i ka dërguar në Institutin Zviceran kanë qenë të manipuluara dhe faktikisht nuk janë ruajtur dhe këta nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të tjera dhe janë kërkuar të bëhen gjurmë gjenetike, toksikologjike dhe kapilarëve gjurmë të gishtave”, ka thënë Gashi në një konferencë për media të mbajtur te Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo ka të bëjë me katër prova që janë dërguar në Zvicër.

“Kemi të bëjmë me këtë shishe, e cila është përdorur në rastin e vrasjes së Astrit Deharit dhe faktikisht është emëruar si prova numër pesë. Në ekspertizën shtesë thuhet se ka qenë e pamundur që të gjenjë gjurmë daktiloskopike për shkak të paketimit sepse është dërguar me letër dhe në ekspertizën shtesë thuhet se gjurmë kapilare nuk kanë mund të gjenden sepse ato thjesht janë fshirë”, ka shtuar tutje ai.

Gashi tutje ka shtuar se nëse Prokuroria Speciale e Kosovës do të kishte marrë në përgjegjësi personat që kanë punuar në zbardhjen e vrasjes së Astrit Deharit, do të gjendeshin edhe personat me emër dhe mbiemër.

Babai i Astrit Deharit, Avniu, u shpreh se besojnë në çdo përfundim të nxjerrë nga Instituti Zviceran.

Ai shtoi se në këtë ekspertizë kokludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar dhe se të gjitha janë të papërdorshme.

“Të gjitha provat e fotografitë që i kanë dërguar, kanë qenë të dëmtuara. Tani në këtë ekspertizë që kanë dërguar, konkludojnë se asnjë provë nuk ka mbetur pa u dëmtuar, pra të gjitha janë të papërdorshme”, ka thënë Dehari.

Ndërsa nëna e Deharit, Xhemile Dehari, tha se prokurori aktual nuk është duke bërë as më pak e as më shumë punë sesa prokurori Sylë Hoxha.

Ministria e Drejtësisë e quajti manipulim njoftimin e Prokurorisë Speciale në lidhje me konkluzionet.

Sipas një njoftimi të MD-së, Prokuroria Speciale nuk kishte publikuar të gjitha konkluzionet e Institutit zviceran.

Ekspertiza zvicerane: Trupi si prova më e rëndësishme, u përdor më së paku

Më shumë se 5 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK dy ditë më pare me anë të njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njofton opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje prokuroria shton se raporti i fundit nuk rekomandon ndonjë ekspertizë apo ri-ekzaminim tjetër.