Ministria e Drejtësisë me akuza ndaj Prokurorisë Speciale për manipulim në rastin Dehari

Gjatë ditës së sotme Ministria e Drejtësisë me anë të një njoftimi ka thënë se drejtësia për vdekjen e Astrit Deharit është sprovë që sfidon sistemin e drejtësisë.

Sipas njoftimit të MD-së, thuhet se në kohën kur u dha lajmi për Astrit Deharin, institucionet, mediat dhe pushteti i atëhershëm u sulën për të përhapur “vetëvrasjen” e tij.

“Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo sipas tyre është bërë para se familja e Astrit Deharit ta pranojë raportin e Institutit zviceran.

“Prokuroria Speciale publikoi konkluzione dhe jo 5 sa janë në tërësi ato”, thuhet tutje në njoftim.

MD pretendon se Prokuroria Speciale nxitoi me komunikatën për media pas përkthimit të raportit të Institutit mjeko-ligjor zviceran.

“Nxitimi me komunikatë nga Prokuroria Speciale sikurse deklaratat e menjëhershme asokohe të kreut të policisë dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren, në mënyrë të ngjashme na rikthehen sërish me deklarata të Prokurorisë Speciale, pa kurrfarë nevoje për këtë nxitim”, vazhdojnë kritikat e MD-së.

Ministria e Drejtësisë thotë se prokuroria nuk guxon të shpërfillë asnjë hetim.

“Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesëshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar”, vazhdon reagimi.

Sipas MD-së, vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e organeve të shtetit.

“Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë”, thuhet tutje.

Sipas MD-së, pengesat e individëve dhe grupeve të ndryshme nuk mund të sfidojnë në tërësi drejtësinë.

“Ministria e Drejtësisë bën sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjemi secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin”, përfundon reagimi.

Më shumë se 5 vite janë bërë prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.

Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.

Që nga ajo kohë hetimi në rastin Dehari kishte marrë një kahje tjetër, pasi rasti kaloi në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.

Në lidhje më këtë ekspertizë PSRK dy ditë më pare me anë të njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.

“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përpos ADN-së, prokuroria njofton opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje prokuroria shton se raporti i fundit nuk rekomandon ndonjë ekspertizë apo ri-ekzaminim tjetër.

Për njoftimin e Prokurorisë Speciale reagoi edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Gashi përmes rrjetit Facebook ka potencuar se Prokuroria duhet të tregoj të vërtetën, pa manipulime.

Gashi i cili është edhe përfaqësues ligjor i familjes Dehari thotë se prokuroria para se të publikonte njoftimin është dashur t’i dërgoj një kopje familjes dhe atij si përfaqësues ligjor.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ekspertizën e kanë marrë para 12 ditëve. Qëllimisht apo rastësisht bën hapa të gabueshëm në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit, ajo ka publikuar një komunikatë për media me komente të veta para se të ju dërgoj kopje të ekspertizës shtesë të Institutit Zviceran fillimisht familjes së Astrit Deharit si dhe mua si përfaqësues ligjor i familjes Dehari”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, prokuroria duhet të tregoj nëse kanë marr gjurmë të ADN-së nga të burgosurit, stafi i qendrës së paraburgimit në Prizren dhe gjithë të përfshirët kur ai ishte dërguar në spital.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marr gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, shtoi tutje Gashi.

Gashi thekson se Prokuroria Speciale po e ka më të nevojshme të jap prononcime të panevojshme dhe po luan rolin e  prokurorit të mëhershëm që tentoi të mbyllte shpejt këtë rast.

“Prokuroria Speciale duket që e ka më të rëndësishme që të jep prononcime krejtësisht të panevojshme për arsye që vetëm ata i dinë dhe është duke tentuar që ta luaj rolin e një prokurori të mëhershëm i cili tentoi ta mbyll rastin më pak se dy jave pas vrasjes se Astrit Deharit”, shtoi Gashi më tej.

Ai tutje theksoi se ky rast nuk duhet të keqpërdoret nga askush, e më së paku nga Prokuroria Speciale.

“Rasti i vrasjes së Astrit Deharit nuk do të duhet të keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale duke e shndërruar në betejë për opinion në vend që të nxjerrin Aktvendim për zhvillim të hetimeve në drejtim të gjeturave shkencore që japin vetëm një konkludim që Astrit Dehari është vrarë. Ligji thotë që palët janë te barabarta por duket që Prokuroria këtë qëllimisht apo rastësisht nuk e aplikon”, tha Gashi.