Ekspertiza zvicerane: Trupi si prova më e rëndësishme, u përdor më së paku
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Speciale ka bërë publike një faqe me pesë konkluzione të Institutit Mjekoligjor të Llozanës në të cilën përmenden gjetjet nga ekzaminimi i provave të marra nga qelia e Astrit Deharit.
Instituti Mjekësor ka thënë se prova të mundshme mund të gjenden në trupin e tani të ndjerit Astrit Dehari nëse ri- ekzaminohet por për shkak të ndjeshmërisë dhe kohës, i njëjti institut nuk ka rekomanduar që të bëhet një veprim i tillë.
Konluzioni i pestë në raport thotë saktësisht:
Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të ri- ekzaminohej trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.
Materiali i cili është vënë në dispozicion në QURML do të ruhet duke pritur udhëzime të reja nga Prokuroria.
Gjatë ditës së sotme pati reagime të shumta në lidhje me njoftimin e Prokurorisë Speciale dy ditë më parë ku bëri publike disa nga konkluzionet që kanë pranuar nga raporti mjekësor i Institutit në Llozanë.
Në njoftimin e prokurorisë janë vendosur me një dokument të veçantë pesë konkluzionet që pretendohet se janë pjesë e raportit:
Në bazë të të gjitha elementeve që kishim në dispozicion dhe pas analizave të kryera në laboratorët e QURML dhe të Shkollës së Shkencave Kriminologjike (ESC) mund t’i nxjerrim këto konkluzione:
- Analizat e ADN-së të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucash dhe një pjesë metali) nuk kanë treguar profil ADN tjetër përveç se atij të z. Astrit Deharit.
- Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerr asnjë gjurmë të gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu ekzaminimi i objekteve fizike (shishja e plastikës, brisk rroje, stilolaps i lidhur për lidhësen e këpucës dhe pjesa e metaltë) kanë treguar se tentativa të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante.
- Analiza toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit kanë treguar praninë e metabolitit të kafeinës dhe mosprani të etanolit.
- Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.
- Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte të ri- ekzaminohej trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë, duke pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.
Materiali i cili është vënë në dispozicion në QURML do të ruhet duke pritur udhëzime të reja nga Prokuroria.
Këto konkluzione sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale kanë dalë nga S. Grabherr, Specialist FHM e mjekësisë ligjore dhe Drejtoreshë e QURML, V. Castella, Specialist i Gjenetikës Forenzike SSML, QURML, C. Champod Drejtor i Shkollës së Shkencave Kriminologjike Universiteti i Lozanës si dhe M.A. Anthonioz Bashkëpunëtor shkencor, Shkolla e shkencave Kriminologjike, Universiteti i Lozanës.
Ky raport është i dyti nga i njëjti institut. Kjo pasi që ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.
Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re e cila përfundimisht u përgatit në prill të këtij viti.