Tifozët e Partizanit thërrasin në kor emrin e Mlladiçit, ndërprehet ndeshja e futbollit në Novi Pazar

Një ndeshje në qytetin e Novi Pazarit me shumicë etnike boshnjake u ndërpre përkohësisht sepse tifozët e klubit Partizani të Beogradit po brohorisnin parulla për masakrat e Srebrenicës dhe komandantin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.
Gjyqtari i një ndeshje të dielën në mbrëmje midis FC Novi Pazar dhe klubit Partizani FC të Beogradit ndaloi përkohësisht ndeshjen sepse tifozët e Partizanit po brohorisnin emrin e Ratko Mlladiçit dhe një slogan që kremton vrasjet masive të boshnjakëve nga Srebrenica në 1995.

Ndeshja po luhej në Novi Pazar në Serbinë jugore, një qytet i banuar kryesisht nga njerëz me origjinë boshnjake. Rreth minutës së 60-të, tifozët e Partizanit filluan të brohorisnin emrin e Mlladiçit dhe “Noz, zica, Srebrenica” (“Thikë, tela, Srebrenica”).

Lojtarët e Novi Pazarit nuk donin të vazhdonin lojën, por pas një ndalese prej 38 minutash, ndeshja rifilloi pasi tifozët e Partizanit u larguan nga stadiumi. Nuk ka pasur njoftime publike për ndonjë arrestim lidhur me incidentin.

Brohoritja për Mlladiçin dhe Srebrenicën nuk është diçka e re në futbollin serb, ku ka pasur prej kohësh lidhje mes tifozëve fanatikë dhe ultranacionalizmit.

Gjatë Kupës së Botës në Rusi në qershor 2018, kur Serbia luajti me Zvicrën, një grup tifozësh u shfaqën në stadium të veshur me bluza me një portret të Mlladiçit dhe raportohet se brohoritën “Vritni shqiptarët”.

Ata u zemëruan nga dy lojtarë zviceranë me origjinë shqiptare të Kosovës të cilët bënë simbolin e shqiponjës me dy koka me duar kur shënuan, dhe pas ndeshjes, tifozë nacionalistë serbë në Vjenë brohoritën “Noz, zica, Srebrenica”.

Në mars 2017, mbështetësit e Yllit të Kuq dhe Partizanit të Beogradit uruan publikisht Mlladiçin për ditëlindjen e tij. Tifozët e Yllit të Kuq të Beogradit brohoritën emrin e Mlladiçit dhe shfaqën një banderolë me një urim “Gëzuar ditëlindjen”, ndërsa një banderolë e shpalosur nga tifozët e Partizanit deklaronte: “Vitet e tua i kanë dhënë Serbisë gjithçka, gëzuar ditëlindjen, gjeneral.”

www.facebook.com/watch/?v=265820424975422&t=0

Një raport i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës në 2017 tha se kur qindra mbështetës të Yllit të Kuq udhëtuan në Novi Pazar për ndeshje në mars dhe gusht 2016, ata brohoritën se donin një “Srebrenicë të re” dhe brohoritën slogane si “Vrit! Ther! Një qytetar i Novi Pazarit nuk duhet të ekzistojë!”

Tifozët e Partizanit gjithashtu brohoritën “Noz, Zica, Srebrenica” gjatë ndeshjes së klubit të tyre në Novi Pazar në 2012.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë në qershor la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladiçin për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, mes krimeve të tjera të luftës. /Balkan Insight/