Thaçi: Të japin përgjegjësi ata që e vendosen detyrimisht 26-vjeçarin në Qendrën e Studentëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për vdekjen e 26-vjeçarit i cili dyshohet se rënë nga konvikti në Qendrën e Studentëve, duke thënë se kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike.

Thaçi ka kërkuar përgjegjesi nga institucionet përkatëse, pasi që thotë se kanë vendosur që 26-vjeçari t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm, “duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”.

“I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie. Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Kujtojmë se konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19 dhe menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Aty janë të vendosur dhjetëra qytetarë të Kosovës, të cilët kanë ardhur nga vendet e jashtme si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Ndërkaq, viktima është 26-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.