COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

Tetë raste pozitive me COVID-19, asnjë i vdekur

Tetë raste të reja me COVID-19, gjashtë të shëruar dhe asnjë i vdekur, është bilanci 24 orësh në vend, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të MSh-së, gjatë kësaj periudhe, janë testuar 2,496 mostra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, e që del se niveli i pozitivitetit të rasteve është 0.32%.

Në raportin e Ministrisë gjithashtu bëhet e ditur se me gjashtë qytetarët e sotëm të konsideruar si të shëruar nga infeksioni, numri i tërësishëm i të shëruarve ka arritur në 157 mijë e 898 që nga fillimi i pandemisë, në muajin mars të vitit 2020, kur u identifikua rasti i parë i të infektuarit me COVID-19.

Aktualisht në Kosovë janë 323 raste aktive me këtë virus, ndërsa që Prishtina është komuna me më së shumti raste aktive – 70 të tillë.

Sa i përket vaksinimit, MSh, njofton se brenda 24 orëve janë dhënë 344 doza të vaksinave kundër COVID-19, përderisa nga fillimi i vaksinimi e deri më tani janë dhënë 1,6 milion doza kundër virusit pandemik.

“Deri më sot 772 mijë e537 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë Publike një person konsiderohet i vaksinuar në momentin që merr dy doza të vaksinave anti-COVID-19.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, përderisa të drejtë vaksinimi kanë të gjithë personat mbi moshën 12 vjeçare.

Nga nëntë dhjetori në Kosovë ka filluar dhënia e dozës së tretë kundër COVID-19.

Numri i rasteve pozitive në nivel vendi vazhdon të jetë i ulët, nëse krahasimet bëhen me muajt paraprak, kur të prekurit ditor kalonin numërimet tre e madje dhe katër shifrore.