Ilustrim

Tentim grabitje në Mitrovicë, plagoset pronari i dyqanit, arrestohen dy të dyshuar

Një person ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur sonte në Mitrovicë, pas një tentim grabitjeje në një dyqan, pronë e të plagosurit.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë të ditur se janë arrestuar dy të dyshuar.

Sipas tij, nga hetimet fillestare bëhet e ditur se dy persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armës kanë tentuar të grabitin viktimën i cili ndodhej në dyqanin e tij, si pasojë e të shtënave nga të dyshuarit në drejtim të viktimës, personi ka mbetur i plagosur.

Viktima me urgjencë është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar si dhe është sekuestruar një armë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

Rasti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 22:24, në rrugën “Mbretëresha Teutë”.