Tenderi për insulina, sekretari i MSH-së thotë se është ‘goditur’ padrejtësisht

Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se ai personalisht është ‘goditur’ padrejtësisht në lidhje me tenderin për insulina.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, Bardiqi tha se kontrata për këtë tender asnjëherë nuk ka shkuar tek ai për firmosje.

“Pa marrë parasysh nga impakti që e ka pasur në publik kjo dhe që jam goditur unë si sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, asnjëherë kjo kontratë nuk ka ardhur në tavolinën e sekretarit për firmosje” – ka thënë Bardiqi.

“Është trajtu edhe udhëzimi administrativ për importe të produkteve pa paralele jodrejtësisht nga eksperti shqyrtues i prokurimit dhe i reflektuar në vendimin e OSHP-së. Edhe neni 70 që e cenon autorizimin për marketing, prandaj e konsideroj si shqetësuese këtë çështje” – tha ai.

Tutje, sekretari Bardiqi tha se kur është iniciuar tenderi për herë të parë në vitin 2020 janë anashkaluar kriteret ligjore.

“Është iniciuar tenderi në dhjetor 2020 kur ka qenë një ministër tjetër dhe një sekretar tjetër, duke anashkaluar kriteret ligjore. Kjo ka paraqitur një nga problemet më të mëdha” – tha Bardiqi.

“Një nga kriteret ligjore bazike, e paanashkalueshme është autorizimi për marketing. Autorizimi për marketing në përputhje me nenin 16 të Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale thotë se produktet medicinale mund të plasohen në tregun e Kosovës pas nxjerrjes së autorizimit për marketing nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale” – shtoi ai.

Sipas Bardiqit, në vitin 2021 ka qenë një opinion nga Departamenti ligjor i Ministrisë së Shëndetësisë i cili, sipas tij, ka thënë se udhëzimi administrativ për pajisje dhe produkte medicinale duhet të amendamentohet.

“Në vendimin e fundit nuk mundemi me nxjerrë nga konteksti, sepse të gjitha çështjet janë trajtuar. Është trajtuar çështja për autorizim marketing që në fillim. Nuk ka qenë në autoritetin e OSHP-së që të japë opinion në lidhje me udhëzimin administrativ 02/2014 dhe as me Ligjin për pajisje dhe produkte medicinale, për arsye se nuk janë të thirrur, kompetentë” – ka thënë Bardiqi.

Në pyetjen e gazetares Jeta Xharra se a ka kompania ‘Meditech’ monopol të insulinave në Kosovë, Bardiqi ka thënë se nuk e di.

“Nuk e di sepse në LOT-e të ndryshme përbesë nuk jam i sigurtë” – tha fillimisht ai.

“Për mendimin tim, në frymën e ligjit dhe të autorizim marketingut nuk ka arsye me thonë po e zgjerojë prokurimin për me pas sa më shumë oferta, mirëpo po e anashkaloj autorizimin për marketing, për arsye se ai e garanton cilësinë” – ka thënë tutje Bardiqi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Fisnik Salihu, avokat i kompanisë Meditech, i cili e ka mohuar se ka monopol të insulinave në Kosovë.

Ai ka thënë se shumica e barnave të cilat përdoren për të trajtuar sëmundje të ndryshme, janë shpikje të cilat mbrohen.

“Nuk ka monopol në tregun e insulinave në Kosovë. Në Kosovë janë të regjistruara 3964 barna me Autorizim Marketingu, prej të cilave ka edhe shumë insulina.Shumica e barnave të cilat përdoren për të trajtuar sëmundje të ndryshme janë shpikje të cilat mbrohen me sistemin e patentave. Pra, për këto barna të avancuara, të njëjtat gëzojnë mbrojtje të patentave. Sikurse në Amerikë e Bashkimin Evropian, edhe në Kosovë këto barna gëzojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale të tyre” – ka thënë Salihu.

“Përderisa janë raportuar raste të abuzimeve më herët, Meditech është lider i cili asnjëherë nuk ka abuzuar me çmime, dhe në koordinim me prodhuesit e barnave që i përfaqëson, Kosovës i ka ofruar barna me çmime shumë të mira në krahasim me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kohë që janë duke u ‘ballafaquar’ në lidhje me tenderin për insulina.

Ministria kërkon që ta anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa OSHP-ja konsideron se dy kompanitë që kanë aplikuar në këtë tender janë të përgjegjshme dhe rrjedhimisht kërkon nga Ministria që për anulimin e tenderit të repsketojë procedurat e Ligjit të Prokurimit.

Tenderi është i bllokuar që nga dhjetori i vitit 2020.

SHËNIM* Përgjigja e plotë e kompanisë ‘Meditech’: “Nuk ka monopol në tregun e insulinave në Kosovë.

Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Neni 16, përcakton qartë se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”. Autorizim Marketingu është certifikata e lëshuar nga Agjencioni i Barnave e cila garanton se barnat të cilat vendosen në treg janë të sigurta, efikase, dhe kanë cilësitë e nevojshme. Nuk ka asnjë vend në Europë, e për dijeninë tonë askund në botë, që lejon që barnat të shiten në atë vend pa u pajisur me Autorizim Marketing.

Qeveria e Republikës së Kosovës, duke e zbatuar Ligjin për Produkte Medicinale, e ka detyruar që edhe Pfizer të regjistrojë Vaksinën e saj kundër COVID 19, si parakusht për vaksinimin e popullatës. Pra, në kulmin e emergjencës mjekësore, Pfizer ka regjistruar dhe e ka pajisur vaksinën e saj të COVID 19 me Autorizim Marketing.

Në Kosovë janë të regjistruara 3964 barna me Autorizim Marketing, prej të cilave ka edhe shumë insulina. Më poshtë i keni disa shembuj të insulinave të cilat janë të regjistruara në Kosovë edhe janë të pajisura me Autorizim Marketing, që nënkupton se aktualisht janë tre prodhues që janë të pajisur me Autorizim Marketing.  Sa për informimin tuaj, në 20 vitet e fundit, së paku 4 kompani kanë bërë furnizim të institucionece shëndetësore me insulina në Kosovë.

Nuk janë ndryshuar kriteret dhe udhëzimet administrative, është shfuqizuar një udhëzim administrativ i paqartë

Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk lejon asnjë përjashtim për të shitur barna pa Autorizim Marketing në tenderë. Të vetmin përjashtim që e lejon Ligji është për rastet e recetave individuale për pacientë (importi me recetë të mjekut për barna të cilat nuk gjenden në Kosovë).

Pra, është anuluar një Udhëzim Administrativ i paqartë, dhe nuk kemi të bëjë me ndryshime të kritereve.

 Nuk mund të paragjykohet patentat e barnave të ndryshme me konceptin e monopolit

Shumica e barnave të cilat përdoren për të trajtuar sëmundje të ndryshme janë shpikje të cilat mbrohen me sistemin e patentave (insulina, barnat e kancerit, barnat e sëmundjeve të rralla). Pra, për këto barna të avancuara, të njejtat gëzojnë mbrojtje të patentave. Sikurse në Amerikë e Bashkimin Evropian, edhe në Kosovë këto barna gëzojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale të tyre.

Analiza që bëhet në raste kur nuk ka konkurrencë të kufizuar apo nuk ka konkurrencë, është të krahasohet cmimi i shitjes së atyre barnave në Kosovë me cmimin e shitjes në vende referente në vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian.

Përderisa janë raportuar raste të abuzimeve më herët, Meditech ShPK është lider i cili asnjëherë nuk ka abuzuar me cmime, dhe në koordinim me prodhuesit e barnave që i përfaqëson, Kosovës i ka ofruar barna me cmime shumë të mira në krahasim me vendet e rajonit dhe Bashkimin Evropian.

Nuk ka asnjë rast të vetëm kur Meditech ShPK ka diskriminuar Kosovës duke shitur barna me cmime më të larta.

Gjithashtu, Meditech ShPK është përkrahësi më i madh i reformës për çmimin e Barnave. Kosova është vendi i vetëm në Europë që nuk ka një Ligj për Çmimin e Barnave dhe kontrollin e çmimit.

 Pyetja duhet bërë pse që 2 vite nuk regjistrohet insulinat e Eli Lilly?

Dyshimi më i madh është se Pharma Leader ShPK nuk është fare përfaqësues i Eli Lilly dhe të njëjtit nuk kanë dijeni për tenderin në Kosovë. Rrjedhimisht, edhe origjina e insulinave të ofertuara nuk dihet.

Kosova i ofron Eli Lilly mundësi që të regjistroj produktin brenda 70 ditëve (UA 01/2015 mbi Autorizim Marketing), me kosto tejet të ulët prej disa qindra Euro, dhe me shumë pak dokumente (vetëm një Certifikatë të Produktit, ku dëshmohet se prodhuesi Eli Lilly të njejtin e ka të regjistruar në BE).

Pra, pse Pharma Leader ShPK nuk e regjistron produktin që tri (3) vite kur kërkesat janë kaq të thjeshta?

Novo Nordis është kompani lidere në prodhimin e insulinave dhe cilësisë dhe për këtë është e paisur me Autorizim Marketing. Autorizim Marketingu është i rëndësishëm për të siguruar cilësinë e produktit dhe ndalimin e kontrabandimit të produkteve ilegale, siç ka ndodhur në të kaluarën”.