Foto: Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës

Të paktën 10 të vdekur dhe 35 të plagosur nga sulmi në Kharkiv

Të paktën 10 persona janë vrarë dhe 35 janë plagosur në sulmet me raketa nga forcat ruse në qendër të Kharkivit, sipas këshilltarit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Herashchenko.

“Sheshi i Lirisë u godit nga një raketë. Pati një goditje të dytë nga një raketë e ngjashme që goditi ndërtesën pas mbërritjes së shpëtimtarëve (në 5-7 minuta). Një e treta e ndërtesës së administratës ra”, tha Herashchenko në një postim në Telegram.

“Gërmadhat po largohen dhe do të ketë edhe më shumë viktima dhe të lënduar”, shtoi ai.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës konfirmuan gjithashtu numrin e të vdekurve në një postim në mediat sociale.

“Në vendngjarje po punojnë ekipet e shpëtimit. Shkallët dhe korridoret në të gjitha katet janë shkatërruar plotësisht”, thuhet në postim.

Një student indian ishte në mesin e të vdekurve pas granatimeve të qytetit nga Rusia, tha të martën Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë (MEA).

“Me dhimbje të thellë konfirmojmë se një student indian humbi jetën nga granatimet në Kharkiv mëngjesin e sotëm. Ministria është në kontakt me familjen e tij. Ne i përcjellim ngushëllimet tona më të thella familjes”, shkroi të martën në Twitter zëdhënësi i MEA, Arindam Bagchi.

Bagchi tha gjithashtu se Sekretari i Jashtëm i Indisë do të thërriste ambasadorët e Rusisë dhe Ukrainës për të përsëritur kërkesën për kalim urgjent të sigurt për shtetasit indianë.

Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Indisë tha për CNN se “gjendja e përkeqësuar në Kharkiv është shqetësuese” dhe se siguria e shtetasve indianë atje “ka përparësi”.

Deri më tani më shumë se 9 mijë shtetas indianë janë evakuuar ndërsa një “numër i konsiderueshëm” tani janë në zona më të sigurta, tha zyrtari./CNN