Të enjten mbahet seanca e Kuvendit, do të diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë

Me kërkesë të Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës, Kuvendi të enjten pritet të mbajë debat parlamentar për dyvjetorin e ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit është dakorduar që të ketë një seancë të rregullt të enjten, në të cilën pika e parë e rendit të ditës do të jetë diskutimi i kërkesës së tyre.

“Është dakorduar që të ketë një seancë të rregullt për enjten ku pika e parë e rendit të ditës do të jetë diskutimi i kërkesës së grupit parlamentar të AAK për dy vjet qeveri Kurti. Si AAK kemi propozu disa pika në rezolutë që lidhen me gjendjen e rëndë në rrafshin e brendshëm në Kosovë dhe dështimin e qeverisë në rrafshin e jashtëm dhe diplomacisë” – ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, ekonomia është para kolapsit teksa shton se problem në sektorin privat vazhdojnë të jenë të drejtat e punëtorëve.

“Sot të gjitha çmimet, të gjitha produktet e konsumit për qytetaret Kosovës janë rritur, nuk është rritur vetëm paga. Ekonomia është para kolapsit, nëse flisni me pronarët e ekonomisë, ata ankohen se në mungesë të ndihmës nga qeveria janë në buzë të kolapsit. Problemi në sektorin privat vazhdon të jetë të drejtat e punëtoreve. A mundeni me besu që jemi në vitin e tretë të qeverisë Kurti dhe paga minimale vazhdon të jetë 170 euro.  A e dini që na patën lodhë me këtë pagë? Asgjë s’ka ndërru” – theksoi ai.

Kërkesa e AAK-së, për debat parlamentar në lidhje me qeverisjen dyvjeçare të kryeministrit Albin Kurti ishte miratuar si rend dite në mbledhjen e Kryesisë në fillim të marsit.

Më 22 mars 2021 , deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë Kurti si qeverinë e re të vendit.

https://kallxo.com/lajm/me-kerkese-te-aak-se-kuvendi-do-te-mbaje-debat-per-dyvjetorin-e-qeverise-kurti/