'Të drejtat e pacientëve, të bukura në letër e të papërfillshme në realitet'

 

Për rastin e personave të helmuar në Komunën e Deçanit, është kërkuar që të zbardhet shkaqet sa më parë nga organizata “Konsumatori”.

Drejtori i kësaj organizate Selatin Kaqaniku tha se ndihmat për Deçanin janë jo vetëm të obliguara por edhe humane.

“Mendoj se këtë takim është dashur ta mbajmë në Deçan. Ndihmat për Deçan janë jo vetëm obligim por edhe humane. Sa më parë duhet ta zbardhojmë dhe zbusim gjendjen. Nga përvoja ime kam dyshim që kjo vije edhe nga temperaturat e larta si dhe cilësia e produkteve”, tha ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra tha se sa u përket ligjeve dhe aspekteve juridike që mbrojnë të drejtat e pacientëve po mbesin nëpër sirtarë.

“Edhe karta e pacientëve e miratuar në vitin 2013 mbetet e pazbatuar. Sidomos të drejtën për masa preventive e kemi parë me pandeminë, rastin e Deçanit dhe rriqërat”, përmendi Kodra.

Rasti i helmimeve në Deçan u përmend gjatë takimit të Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në formatin e dëgjimit publik të titulluar ‘’Të drejtat dhe Siguria e pacientit”.

Kryesuesja e Komisionit, Fatmire Kollçaku ka përmendur se siguria e pacientëve cilësohet si parandalues i gabimeve.

“Ne sot jemi këtu për të ardhmen: siguria e pacientit është cilësuar si parandalues i gabimeve”, tha ajo.

Gjatë këtij takimi u përmendën disa probleme me të cilat ballafaqohen pacientët.

Farmacistja Shqipe Gashi, shtroi disa kritika në lidhje me listën esenciale të barnave.

“E pranoj që është bërë punë e mirë në listën esenciale, por në të njëjtën listë janë përfshirë sëmundjet e rralla. Nuk mundet ta bëjmë këtë. Te sëmundjet e rralla kam dëgjuar raste diskriminuese për fëmijët, ku disa fëmijë zgjedhen e disa jo. Sëmundja e zgjedh fëmijën e jo anasjelltas. Nuk kemi të drejtë ta privojmë fëmijën nga e drejta për kujdes shëndetësor”, potencoi Gashi.

Bashkim Isari, aktivist i të drejtave të njeriut përmendi disa sfida të pacientëve siç është mekanizmi për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të pacientëve.

“Pacientëve nuk i garantohen të drejta të barabarta për kujdesin shëndetësor. Mungojnë mekanizmat për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të pacientëve. Ekzistojnë disa sportele që shkruhet zyra për ankime por ato janë të mbyllura. Kujdesi për shëndetin fizik, mental dhe social është nën çdo nivel”, theksoi ai.

Isari mori shembull edhe komunikimin mes mjekut e pacientit në institucionet shëndetësore në vend.

“Mungon komunikimi në raportin mjek-pacient. Pothuajse asnjë komunikim nuk sigurohet, përveç sjelljes së një diktati me shprehjet: “ik, largohu, zhduku”. Informatat merren nëpër korridore!”.

Isari dëshmoi që pos hyrjes zyrtare ku qëndrojnë njerëz të sigurimit, pacientët dhe bashkë-familjarët e tyre shfrytëzojnë për hyrje-dalje edhe një hapësirë të bërë tashmë si korridor, ndonëse në këtë hapësirë ekzistojnë lajmërime si: rrezik eksplodimi.