Tapë në timon e qarkullim pa patentë, 12 të arrestuar në aksin Milot-Morinë

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se  12 shoferë janë vënë në pranga gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi në aksin Milot-Morinë.

“Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 45 leje drejtimi, nga të cilat 31 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, thuhet në njoftim.

Policia ka shtuar se 1788 shoferë janë gjobitur për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve./Top Channel