Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë lidhur me investimet publike

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se në seancën e nesërme të Kuvendit, e kanë ftuar ministrin e Financave Hekuran Murati që të reflektojë në dy çështje ekonomike.

Tahiri ka thënë se seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën e Qeverisë për investimet publike.

“Interpelanca e ministrit, Hekuran Murati, të cilin e kemi ftuar që të reflektojë në dy rreziqe të mëdha ekonomike që i ka Kosova me këtë Qeveri: E para, lidhet me bllokimin e investimeve kapitale, që është në nivelin më të ulët në histori. Dhe, e dyta, me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civil”- ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se, Qeveria duhet të kujdeset për punësuarit e administratës shtetërore, që sipas tij, dita ditës po e lëshojnë Kosovën.

“Ne do të prezantojmë qëndrimet tona, kalkulimet tona, mbi të gjitha sugjerimet tona për ndryshimet në buxhet të Kosovës me rishikim”- ka thënë Tahiri.

Kuvendi i Kosovës të enjten në ora 10:00 pritet të mbajë seancë të rregullt me një pikë në rendin e ditës.

Në këtë seancë ministri i Financave, Hekuran Murati do të këtë interpelancë, kërkesa për të cilën ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.