Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Qeveria e ka promovuar Kosovën në revistën franceze si vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se ka pranuar një informacion se në një revistë franceze Kosova është promovuar si “vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe”.

Ai ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga një bashkatdhetar që jeton në Francë.

Sipas Tahirit, këtë përshkrim e ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

“Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar në Francë ku thotë qysh është e mundur që Qeveria e Kosovës me i promovu si vend ku kanë lind manastiret ortodokse serbe. I thashë mos e ke ngatërruar me Qeverinë e Serbisë. Dhe i nderuari ma dërgoi revistën. Qeveria, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë promovon një artikull ku thuhet “Kosova ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret madhështore të Kishës Serbe”” – ka thënë Tahiri.

Sipas tij, në Kuvend përveç deputetëve të Listës Serbe askush nuk pajtohet më këtë qëndrim.

“Kjo është një doktrinë e shtetit serb, një promovim i një artikulli të tillë unë nuk e di çka ka me thanë më tutje Vuqiçi, ose Tadiqi a ai tjetri. Nuk besoj që ka deputet të Kuvendit përveç deputetëve serb që pajtohen me një qëndrim të tillë” – ka shtuar Tahiri.