Tahiri pas bastisjeve në MINT: Sot do të duhej ta kishim shkarkimin e ministres Hajdari

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) duhet të shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari.

“Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit”- ka shkruar ai në Facebook.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra, ka kërkuar shkarkimin e ministres Hajdari pas bastisjeve në ministrinë e saj.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka bërë disa bastisje në lokacione të ndryshme.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet  R.M. H.G dhe I.L”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të njëjtit, sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Në pranga ka përfunduar Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë në MINT, nën dyshimet e njëjta për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Muharremit i është bastisur banesa dhe një pronë tjetër e tij, për më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës.

Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.

Arrestohet Ridvan Muharremi, i dyshuar për aferën me rezerva shtetërore