Besnik Tahiri - AAK, Foto: KALLXO.com

Tahiri: Brengosëse situata në Qeveri e Kuvend, ka ngecje në procesin legjislativ

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri njoftoi se këtë javë nuk është caktuar seancë parlamentare për shkak të mungesës së kuorumit në mbledhje te Kryesisë.

“Nuk mbajtëm mbledhje të Kryesisë se nuk pat kuorum të mjaftueshëm, është diskutu për një seancë këtë javë por ende nuk ka një vendim se kur do të mbahet”- tha ai.

Tahiri situatën aktuale në Qeveri dhe në Kuvend e ka quajtur “brengosëse”.

“Për ne si grup parlamentar është tepër brengosëse situata që gjendet në Qeveri e Kuvend, ka ngecje të punës në aspektin legjislativ, në aspektin e qeverisjes, ka dështim total në ekonomi e administratë shtetërore që po e dëmton Kosovën në çdo aspekt”- tha ai.

“Edhe viti 2023 është vit i humbur në çdo aspekt, në aspektin ndërkombëtar, atë të brendshëm, në ekonomi, punësim, administratë”- shtoi ai.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë të mbahet sot në ora 12:00 ka dështuar për shkak të mungesës së disa prej anëtarëve.

Në kohën kur mediat janë lejuar të marrin pamje, në sallën e Kuvendit (C301) të pranishëm kanë qenë, kryetari i Kuvendit Galuk Konjufca, nënkryetari i Kuvendit nga komunitetet Bahrim Shabani, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së Kujtim Shala, dhe kryetarët e grupeve parlamentare PDK, LDK dhe AAK.

Në këtë mbledhje kanë munguar, Saranda Bogujevci nga LVV dhe Enver Hoxhaj nga PDK.

Mbledhja e Kryesisë. Foto: KALLXO.com, 26.06.2023

Sipas rregullores, Kryesia e Kuvendit përbëhet nga Kryetari dhe pesë nënkryetarë.

Aktualisht nënkryetarët e Kuvendit janë Saranda Bogujevci (LVV), Enver Hoxhaj (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe Bahrim Shabani nga komunitetet jo shumicë.

Neni 20 thotë se mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Ndërsa, tutje thuhet se me ftesë të Kryetarit të Kuvendit në mbledhje të Kryesisë, pa të drejtë vote, mund të marrin pjesë kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.