Sveçla: Shtëpia ku u gjet armatimi u përdor për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe

Armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv janë gjetur sot në Zveçan, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës.

Armatimi është gjetur në një shtëpi në këtë qytet, e sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, shtëpia ku është gjetur armatimi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

Sveçla ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

“Për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi” – ka thënë ministri.

Ai tutje ka thënë se kontrabandimi e hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët në veri, të cilët sipas Sveçlës.

“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit” – ka thënë Sveçla.

Tutje ai ka thënë se veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit dhe se rendi e ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës.