Foto: MPB.
Sveçla pret një delegacion amerikan, diskutojnë për procesin e strehimit të qytetarëve afganë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim një delegacion amerikan ku është diskutuar mbi procesin e strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë.
Sipas MPB-së, ministri Sveçla ka pritur në takim një delegacion të prirë nga David Johnson, Ambasador dhe Negociator Special per Çështjet e Zhvendosjes, Jeffrey Hovenier Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Steven Naplan, zv. Negociator Special për Çështjet e Zhvendosjes dhe Kyle Hatcher, Koordinator per Refugjatet në Ambasadën Amerikane në Kosovë.
“Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e procesit të pranimit dhe strehimit të shtetasve afganë në kuadër të 1 vjetorit të fillimit të këtij procesi”- thuhet në njoftim e MPBs-së
Po sipas MPB-së, Republika e Kosovës deri më tash ka zhvilluar me sukses këtë operacion falë angazhimit të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, si aleatët tanë kryesorë jo vetëm në këtë proces, por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.