Sveçla për rastin në 'Bon Vivant': Shtetasit tanë u rrezikuan për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia

Mbi 20 persona të plagosur e lënduar mbetën mbrëmjen e kaluar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Xheladin Hana” në kryeqytet.

Një nga të plagosurit për shkak të plagëve të rënda në pjesën abdominale të trupit, ka vdekur mëngjesin e sotëm.

Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se shtatesit e vendit po rrezikohen për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë” – ka thënë ministri Sveçla.

Sipas tij, palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale.

“Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme” – ka thënë i pari i MPB-së.

“Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre” – ka vazhduar tutje ai.

Ndër të tjera, ministri tha se është koha e fundit që efikasiteti i Policisë në këtë segment të rritet, ai madje tha se mbi të gjitha përgjegjshmëria dhe vendosmëria e Prokurorisë dhe guximi i gjykatësve për dënime drakonike për këtë kontigjent kriminal.

“Drejtësia është virtyt që duhet mbrojtur nga e tërë shoqëria, përfshirë aktivistët e shoqërisë civile dhe gazetarët. Ndjenja e të drejtës duhet të jetë shqetësim për të gjithë ne. Shembujt e ndëshkimit të krimit shërbejnë edhe si mbështetje për rolin e policisë sonë” – tha Sveçla.

Ai shtoi se Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme.

Ministri i Brendshëm po ashtu foli edhe për dënimin që morën Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, të dënuar në rastin e Marigona Osmanit.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer” – tha Sveçla duke shtuar se ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës.

“Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë” – tha ministri Sveçla.

Ai shtoi se edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët sipas tij, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë.

Vdes njëri nga personat që u plagos në “Bon Vivant”