Foto: KALLXO.com

Sveçla: Dejan Pantiq po mbahet në stacionin policor në Jarinjë për shkak të bllokimit të rrugëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me arrestimin dhe mbajtjen e Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i dyshuar për akte terroriste dhe kundër rendit kushtetues, ka thënë se ai po mbahet në stacionin policor në Jarinjë dhe kjo është rezultat i bllokimit të rrugëve në veri të vendit.

“Pa dyshim që ai duhej të ishte në qendrën për mbajtje dhe jo në stacion policor ne kemi bërë kërkesë për transferimin e tij përmes bashkëpunimit të tij nga ndërkombëtarët” – shtoi ai.

Sveçla tha se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe po merr trajtimin e duhur.

Dejan Pantiq është arrestuar më 10 dhjetor si i dyshuar për sulmet kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve të Kosovës.

Pas arrestimit të tij, serbët kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak dhe si rezultat i këtyre bllokadave janë mbyllur për qarkullim dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.