Suspendohen tre policë në Ferizaj, dyshohet se në veturën zyrtare të tyre kishin hyrë dy vajza

Në një veturë zyrtare të Policisë së Kosovës në Ferizaj para disa ditëve ishin futur dy vajza.

Arsyeja se pse vajzat hynë në këtë veturë nuk dihet ende, mirëpo Inspektorati Policor i Kosovës sot ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë.

Policët, sipas njoftimit të IPK-së, janë nga Stacioni Policor i Ferizajt dhe të njëjtit u suspenduan për 72 orë.

“Rasti ka ndodh në Ferizaj, në interes të një hetim preliminar, IPK ka rekomanduar suspendimi për 72 orë  të 3 zyrtareve policorë nga Stacioni Policor të Ferizajt lidhur me një video incizim, i cili është duke qarkulluar në media ku shihen dy femra duke hyrë në veturë zyrtare të Policisë se Kosovës” – thuhet në njoftim të IPK-së.

Në po të njëjtën ditë IPK suspendoi edhe një zyrtar tjetër policor.

Rasti sipas njoftimit ka ndodhur në Kamenicë më datë 5 shtator 2023,  ku dyshohet se zyrtari policor në Stacionin Policor në Kamenicë, deri sa ka qenë në detyrë është shoqëruar me një person të dyshuar tek i cili është gjetur një substancë e dyshuar narkotike.

IPK ka thënë se në konsultim me prokurorin kujdestar është hap rast penal për veprën penale  “Posedim i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Tutje është thënë se zyrtari policor i dyshuar, me rekomandim të IPK-së dhe me vendim të Drejtorit Rajonal Gjilan, është suspenduar për 72 orë.

IPK shtoi se me një vendim tjetër më datë 7 shtator 2023 është rekomanduar vazhdimi i suspendimit pasi që në këtë rast duhet të ndërmerren veprime hetimore nga IPK.