Selia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

Supremja e hedh poshtë Ankesën e kandidatit për Deputet nga PDK-ja

Një Ankesë që kishte bërë kandidati për Deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme – duke u cilësuar si e pabazuar.

Për rezultatin e Zgjedhjeve, Hajdari ishte ankuar fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), por ky Panel e kishte refuzuar atë.

Hajdari më pas është ankuar në Supreme se është dëmtuar për një numër të caktuar votash, si “rezultat i parregullsive” me të cilat, sipas tij, është cenuar e drejta e votës dhe integriteti i procesit zgjedhor.

Si rrjedhojë ai ka thënë se ka mbetur jashtë listës së kandidatëve të cilët do të certifikohen.

Hajdari me këtë rast ka kërkuar rinumërimin e disa vendvotimeve.

Në përgjigjen ankimore, PZAP ka propozuar hedhjen poshtë të Ankesës së Hajdarit në Supreme.

Supremja thotë se në rastin e Hajdarit nuk është shkelur Ligji dhe se është vepruar drejt.

“Kjo për faktin se si të tilla nuk dëshmuan se përmbushin shkaqet për të cilat mund të paraqitet Ankesa që të prezantohen fakte të reja nga pala e interesuar dhe nuk u gjetën shkelje procedurale e as ndonjë gabim faktik i cili ndikon në të drejtat e palës, apo ligjshmërinë e procedurës.” – thuhet mes të tjerash në Aktgjykimin e Supremes.

Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Supreme mund ta qasni në këtë vegëz.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 15.05.2025, ka shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur më 09.02.2025.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.

Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë etj.