Sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në veri, Haradinaj e kritikon Kurtin

Kreu i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas raportimeve për sulme në drejtim të zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Hardinaj ka thënë për kryeministrin Albin Kurti se duke u tërhequr nga vendimet që po merr për situatën në veri, është duke e nxjerrë Kosovën humbëse.

Reagimi i plotë i Haradinajt:

Çka po të ngutet o Albin Kurti me krejt planet, punët e veprimet që po i bën, qoftë duke provuar zgjedhje fiktive në veri, qoftë duke emëruar ministra me urgjencë, qoftë duke kundërshtuar tabela… e gjithmonë duke u tërhequr si dje e si sot e duke e nxjerrë Kosovën humbëse!

Ku ia ke qitë hesapin, a po don me çdo kusht me e rreziku veriun, apo je i padijshëm e s’po ka kush me të mësu!

Ndalu se don me e marrë në qafë këtë vend e këtë popull!

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar gjatë pasdites së sotme në veri të Kosovës.

Ndersa, sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe  dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.