Greva e minatorëve - Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Greva nën tokë - 10 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, dy dërgohen në spital

Dhjetë minatorë në Stan Tërg kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga ora 19:00 e së dielës deri më tani si pjesë e grevës për kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Destan Kerleshi nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës për KALLXO.com, ka bërë bërë thirrje që të merren masa për nxjerrjen e minatorëve nga miniera pasi gjendja e tyre po përkeqësohet.

“Greva e minatorëve është duke vazhduar ende. Gjendja e tyre shëndetësore është mjaftë e rënduar nga ora 19:00 deri më tani kanë kërkuar ndihmë mjekësorë 10 minatorë, 2 janë dërguar në spitalin rajonal pa vetëdije. Bëj apel nga të gjithë faktorët relevant që të japin kontributin e tyre në nxjerrjen e minatorëve nga miniera, çdo moment gjendja tyre po përkeqësohet”- është shprehur ai.

Qindra minatorë dhe punëtorë të tjerë të “Trepçës” kanë nisur një grevë që nga 24 tetori.

Ata janë zotuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 06 – 10 në fillim të çdo muaji, shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

 

Në anën tjetër, Bordi mbikëqyrës i “Trepçës” dhe menaxhmenti kanë kërkuar ndërprerjen e grevës.

“Është shumë brengosëse që: Kërkesat e grevistëve ndryshojnë dhe nuk ka konsistencë të kërkesave; mungojnë informatat për organizatorët e grevës dhe inicimin e grevës; mungojnë informatat për grevistët dhe për shëndetin e tyre,” thuhej në reagimin e tyre.

Sipas tyre, që e vetmja kërkesë aktive mbetet kërkesa e dytë qe ka të bëjë me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit aktual.

“Sa i përket kësaj kërkese ne si Bordi mbikëqyrës i përkohshëm i drejtorëve mund të garantojmë që jemi duke bërë matjen e vazhdueshme të performancës së zyrtarëve të lartë të ndermarrjeve publike, sipas ligjit dhe gjithsesi që çdo shkelje do t’a adresojmë te organet kompetente dhe do të ndërmarrim masa të duhura.”

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës nuk ka pasur deri më tani asnjë reagim e as vizitë tek minatorët. 

Në një konferencë për media të premten e kaluar, i pytetur nga KALLXO.com se kur  do të realizohet premtimi për investimet dhe grevën e minatorëve të Trepçës, kryeministri Albin Kurti, nuk u përgjigj fare. 

“Kryeministri kaq pati kohë, më duhet ta takojë gazetarin gjerman Eric Rathfelder e njoh që një qerek shekulli, është këtu. Këtu e keni zëvendëskryeministrin,” tha Kurti.