Trepça, Foto: KALLXO.com

Horizontet pa shpresë

Gjiganti metalurgjik, që dikur kishte nam në gjithë Ballkanin Perëndimor, sot përballet me mungesë të investimeve nga shteti i Kosovës. Makineritë e vjetruara e mungesa e pjesëve rezervë, kanë vështirësuar prodhimin e të hyrat. Në anën tjetër, rrëfimi i minatorëve që punojnë qindra metra nën sipërfaqen e tokës shpërfaqin mungesën e kushteve elementare të punës.

Gëzim Osmani nuk e kishte menduar asnjëherë që do të bëhej minator. Por, siç rrëfen ai, kushtet e vështira të jetesës e bënë që t’ia mësyj njërës prej punëve më të rrezikshme.

I dëshpëruar me kushtet e punës në minierën e Stan Tërgut në Mitrovicë, ai thotë se është koha e fundit që menaxhmenti dhe qeveria të investojnë në “Trepçë”.

“Kushtet janë të tmerrshme, ajrim s’ka, ventilim s’ka…dorëzat e çizmet i blejmë vetë, i ka më tepër se dy vite që ne i blejmë vetë” – thotë Osmani.

Kombinati metalurgjik “Trepça” numëronte mbi 20 mijë punëtorë para luftës së fundit në Kosovë. Tani, në këtë ndërmarrje publike janë të punësuar rreth 2 mijë punonjës.

Gjatë verës, minatorët protestuan duke hyrë në grevë pasi menaxhmenti, për shkak të rënies së prodhimit dhe të hyrave, ua vonoi pagat.

Xehtari nga Mitrovica thotë se obligimet ndaj bankave, për shkak të kredisë, ia vështirësuan kalimin e muajit, pasi menaxhmenti i vonoi pagat gjatë muajve të kaluar.

“Me ia dalë, ia del, po qysh ia del…unë këtë punë e dua me zemër, se me ketë punë unë e mbaj familjen” – thotë ai.

Gëzim Osmani, minator në Trepçë, Foto: KALLXO.com

Kushtet e vështira të punës në minierën e Stan Tërgut i konfirmoi edhe minatori tjetër, Fitim Xhafa.

“Kushte të punës këtu nuk ka, qysh po e shihni edhe vet, ne jemi tu e shty me zor me mbajt “Trepçën” gjallë…vetëm pantollat na kanë pru, të tjerat i blejmë vetë” – tha Xhafa nga horizonti i 11-të, atje ku punonte në nxjerrjen e koncentratit.

Produktet kryesore, të cilat i prodhon miniera e “Trepçës” janë koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.

Ankesat dhe kërkesat për pajisje personale të punës, minatori Fitim Xhafa thotë se i adresuan në vazhdimësi, por u injoruan në menaxhmenti i ndërmarrjes.

“Ata poshtë [menaxhmenti] po na thonë, kanë me ardhë – kanë me ardhë, por u bë që një kohë e gjatë ne jemi pa pajisje elementare të punës” – thotë ai.

Për kushtet e punës të minatorëve, në minierën e Stan Tërgut nuk ka pranuar të flas ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani. Ndërsa, nga Ministria e Ekonomisë thanë se procedurat e prokurimit publik ndikuan që të ketë vonesë në furnizime me pajisje personale të punës për minatorët.

Në fillim të horizontit të 10-të, në një dhomë ku minatorët marrin instruksionet nga eprorët para se të nisen drejt punishtes, kutia e ndihmës së parë është jashtë funksionit. Minatorët nuk mund ta hapin fare atë pasi ajo është e mbyllur me gozhdë.

Kutia e ndihmës së parë në horizontin e 10-të, Foto: KALLXO.com

Nevoja për investime

Përveç mungesës së mjeteve personale të punës, siç janë dorezat, helmeta e çizmet, minatorët në Stan Tërg përballen edhe me kushte të vështira të sigurisë në punë.

“Ajrimi mungon, unë këtu jam që katër vite, ka pas edhe ajër më shumë, tash nuk ka, temperaturat janë shumë të larta” – thotë minatori Fitim Xhafa.

Ashensori kryesor, që zbret dhe ngritë çdo ditë minatorët është i vjetër 100-vjeç. Ndërsa, sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, pa një përkrahje nga Qeveria e Kosovës, nuk ka shpresë që një lift i ri të funksionalizohet në minierë. Ai përmendi edhe problemin e kompresorit i cili në rast të ndonjë defekti, do të stoponte punën në minierë.

“E kemi rastin tjetër, të kompresorëve që e furnizojnë minierën me ajër të komprimuar për përdorim të pajisjeve, është kompresor i një shekulli me të cilin po punojmë pa rezervë. Nëse prishet, do të paralizohet krejt puna” – ka thënë Januzi, i cili mbron dhe promovon të drejtat e punëtorëve të “Trepçës”.

Në horizontin e 10-të dhe 11-të, aty ku punohet për nxjerrjen e koncentratit, ka makineri të cilat janë jashtë funksionit vetëm për shkakun se nuk kanë pajisje rezervë, siç janë rrotat.

“Kjo makineri pneomatike, për shkak të mungesës së gomave dhe disa pjesëve rezervë, tash e tre muaj është jashtë funskionit. Ne kemi bë me kohë kërkesën për furnizim të pjesëve, diku në muajin shkurt“ – tha Fevzi Ademi, përgjegjës i makinerisë në minierën e “Trepçës” në Stan Tërg.

Fevzi Ademi, përgjegjës i makinerisë në Trepçë, Foto: KALLXO.com

Për shkak të mungesës së pajisjeve rezervë, puna në njërën prej punishteve në horizontin e 11-të është mbet në gjysmë.

Sipas përgjegjësve të makinerive, mjetet që ndihmojnë për transportim të xeheve janë të vjetra dhe si të tilla lirojnë tym e gazra që e vështirësojnë punën e minatorëve në minierë.

“Kjo makinë transportuese është jashtë funksionit që tre muaj. Urgjentisht këtu në horizontin e 10-të kemi nevojë për dy kamionë dhe dy ngarkuese dhe për një kompresor industrial, që ka nevojë urgjente, besoj që edhe tash jemi shumë vonë” – ka thënë Dastan Kërleshi.

Zyrtarët e kombinatit metalurgjik konfirmuan se prodhimi dhe të hyrat gjatë këtij viti zbriten në 50 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo, për shkak edhe të defekteve dhe bojkotit të punës në muajit e fundit nga minatorët.

Në anën tjetër, sipas përgjegjësve të makinerive në horizontin e 10-të dhe 11-të, gjithë pajisjet rezervë për makineritë kushtojnë rreth 20 mijë euro në vit.

Premtimet për investime

Në janar të vitit 2021, sa Albin Kurti ishte në opozitë, kishte vizituar ndërmarrjen e “Trepçës”. Ai thoshte se lënja pas dore e gjigantit ekonomik dhe mos-investimin në “Trepçë” është krim.

“Nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë…” – thoshte Kurti para më shumë se dy vitesh.

Në një vizite tjetër, në tetor të vitit 2021, si kryeministër i zgjedhur i vendit, Albin Kurti kishte premtuar investime serioze në “Trepçe”.

“Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë së paku 70 milionë euro për investime në “Trepçë” për vitet 2022 dhe 2023…” – deklaronte shefi i ekzekutivit kosovar.

Por, investimet që premtonte kryeministri Kurti, nuk ndodhën asnjëherë në “Trepçë”. Prej kur Kurti erdhi në qeveri, ekzekutivi qendrorë ka ndarë vetëm rreth 15 milionë euro, shumica e të cilave kanë shkuar për paga të punonjësve të kombinatit të “Trepçës”.

Behxhet Vinarci në korrik të këtij viti dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të minierës në Stan Tërg. Ai thotë se nuk arriti që t’i realizojë detyrat që ia kishte vënë vetës. Mosinvestimet nga shteti, sipas tij, janë njëra prej telasheve më të mëdha në “Trepçë”.

“Jo, s’ka pas investime…adresimet kanë qenë të përditshme, kontaktet me kryeshefin, bordin dhe përfaqësuesin e zëvendësministrat, gjithherë kanë qenë prezent po nuk ka pas një realizim diçka” – thotë Vinaraci.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, thotë se problemat në “Trepçë” i trashëguan nga qeveritë e tjera. Por, sipas tij, ekzekutivi qendror po punon që “t’ia rikthejë shkëlqimin “Trepçës””.

“Këtë vit kemi ndarë për makineri minerare 970 mijë euro, po flitet për investime të vogla kapitale në raport me atë që pritet. Por, me 20 milionëshin, pritet që të vijnë makineri të reja” – thotë Mjeku. Sipas tij, prej kur Qeveria Kurti erdhi në pushtet, rreth 15 milionë euro u ndanë për ndërmarrjen.

Në shkurt të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për një kredi për “Trepçën” në shumën e 20 milionë eurove. Por, deri më tani asgjë nuk është realizuar.