Rrëfimi i minatorëve: S’kemi doreza, çizme e helmeta për punë, i blejmë vetë

Gëzim Osmani dhe Fitim Xhafa, minatorë në minierën e Stan Tërgut, kanë rrëfyer për kushtet e vështira të punës në “Trepçë”.

Rrëfimi i tyre zbardh kushtet e vështira të punës – pa dorëza, çizme e helmetë për punë.

“Kushtet janë të tmerrshme, ajrim s’ka, ventilim s’ka… Dorezat e çizmet e teshat ka dy vjet e më tepër që ne i blejmë vetë” – ka thënë Gëzim Osmani, minator në minierën e Stan Tërgut.

Xehetari nga Mitrovica ka thënë se menaxhmenti dhe Qeveria duhet të krijojnë kushte për punë për minatorët.

“E zgjedha me u bë minator se idarja të çon në derë të hasmit. Këtë punë e kam marrë me zemër se me këtë punë i mbaj anëtarët e familjes” – ka rrëfyer ai nga horizonti i 10-të i minierës.

Kushte të vështira të punës në minierë thotë se janë edhe minatori tjetër, Fitim Xhafa. Ai tha se u mungojnë pajisjet elementare të punës, siç janë dorezat e çizmet.

“Këtu kushte të punës nuk ka, ne po e shtyjmë me zor… S’kemi doreza, s’kemi, krejt këto sene i kemi ble me mjete vetanake, këta pantolla i kanë pru të tjerat i kemi ble vetë” – thotë ai.

“Na ankohemi, po ne nuk kemi të drejt me shku poshtë te menaxhmenti, ne e kemi mbikëqyrësin, ia përcjellim ankesat. Po na thonë: kanë me ardhë, kanë me ardhë, po s’ka asgjë” – ka thënë minatori.

Tutje, ai tha se mungon edhe ajrimi në minierë, gjë që e vështirëson edhe punën.

Dy minatorët kanë folur edhe për vonesat e pagave gjatë muajve të kaluar.

“Kemi pasë vonesa në paga, janë dalë disa kërcënime. Paga është e drejtë e jona, ne e duam mundin me marrë. I kemi shprehë paknaqësitë e tona…” – tha Fitim Xhafa.

Ata u kanë bërë thirrje menaxhmentit dhe Qeverisë që të kujdesen për kushtet dhe sigurinë në punë.

.