Foto: Zyra e Presidencës së Ukrainës

Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, NATO do të dislokojë më shumë forca tokësore dhe ajrore

NATO do ta rrisë prezencën e forcave tokësore, detare dhe ajrore në krahun e saj lindor mes “sulmit të tmerrshëm të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha aleanca e sigurisë në një deklaratë bërë të enjten.

“Veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike dhe do të kenë pasoja gjeostrategjike. NATO do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve”, thuhet në deklaratë.

“Ne po vendosim forca shtesë mbrojtëse tokësore dhe ajrore në pjesën lindore të Aleancës, si dhe mjete shtesë detare. Ne e kemi rritur gatishmërinë e forcave tona për t’iu përgjigjur të gjitha situatave të paparashikuara”, shtoi ai.

Deklarata në fjalë i dënoi veprimet e Rusisë, të cilat ajo i cilësoi “të pajustifikuara dhe të paprovokuara” dhe ripohoi se ajo mbetet pranë me popullin e Ukrainës.

“Sot kemi zhvilluar konsultime sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit. Ne kemi vendosur, në përputhje me planifikimin tonë mbrojtës për t’i mbrojtur të gjithë aleatët, të ndërmarrim hapa shtesë për ta forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen në të gjithë Aleancën. Masat tona janë dhe mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese”, vijon deklarata në fjalë.

“Angazhimi ynë ndaj nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit është i i fortë. Ne qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur njëri-tjetrin”, thuhet në deklaratë./CNN