Nisja e ekstremizmit islam në Kosovë

Qindra kosovarë kanë arritur që brenda një periudhe të shkurtë të bëhen pjesë e luftërave të huaja në Siri dhe Irak.

Shkuarjet në emër të Islamit dhe për luftë paqësore ishin arsyet e shumë qytetarëve të cilët ndoqën rrugën nga Kosova, në Turqi e më pas në Irak e Siri. Dhjetëra kosovarë figurojnë si të vdekur në këto luftëra e të tjerë ka që ishin shpallur terrorist.

Në dokumentarin e sotëm të cilin po e transmeton ‘KallxoPernime’, drejtues të institucioneve të sigurisë në Kosovë tregojnë për zanafillën e një islami radikal dhe ekstrem në shtetin kosovar.

Fillimi i vitit 1984 ishte nisja e punës për imamin, Osman Musliun. Ai ishte caktuar imam, në një xhami në njërën nga fshatrat e Suharekës. Atje nisin edhe indikacionet e para të cilat i vërën Mulla Osmani nga xhemati i tij.

“Në vitet e 90-ta në Prizren, filluan disa njerëz me paraqit një islam ndryshe, një islam jo atë që e kemi pasur babë e babagjysh, mirëpo një islam pak ma ndryshe atëherë nuk i kemi thënë radikal po islam pak ekstrem”, tregon Mulla Osmani deri sa vazhdon të kujtoj se fenë e paraqisnin të zorshme e të vështirë.

Imami, Osman Musliu, Foto: KALLXO.com

Sipas Mulla Osmanit, pjesëtarët e komunitetit që frekuentonin xhamitë nisën të flisnin se cilat sjellje janë të këqija apo që ndryshe njihen me fjalën haram dhe harruan atë se islami duhet të paraqiste, paqen, tolerancën e qetësinë.

“Për shembull i sulmojshin traditat kulturore, jo martesë, jo disa, kjo haram ajo haram diqysh i interpretojshin më shumë haramin se hallallin. Nuk shpjegohet feja në kontekstin e haramit, ndalesave por në kontekstin e jetës edhe këta filluan pak në qeto ekstreme me sulmu kulturën, jo muzika haram, jo kjo është haram…”, vazhdon të tregoj Mulla Osmani për zanafillën e radikalizmit në Kosovë.

Drejtori i Sigurisë Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë, Mensur Hoti, tregon se ndryshimet e para u vunë re në vitet 1990.

Mensur Hoti, Drejtor i Sigurisë Publike, MPB, Foto: KALLXO.com

Ndryshimet sipas tij ndodhën pas ardhjes së rrymave të ndryshme islame të Lindjes së Mesme.

“Në atë kohë, Jugosllavia ishte në shpërbërje dhe në Ballkan shpërthyen luftërat. Në Bosnje, një grup xhihadistësh gjetën strehë për të promovuar luftën e shenjtë. Atje u ndërtuan njësi luftarake dhe u mundësua financimi i grupeve të tilla të cilat më pas nisën shtrirjen edhe në zona të tjera të Ballkanit”, shpjegon Hoti.

Policia e Kosovës, ka hetuar raste të shumta të ekstremizmit dhe terrorizmit. Drejtori i Departamentit të Anti-Terrorit, Luan Keka tregon se përqafimi i ideologjive më ekstreme fetare filloi në gjithë Ballkanin në vitet e 90-ta.

“Indikacionet e para, lufta në Bosnjë, radhët e para të muxhahidinëve që u janë bashkangjitur luftës çlirimtare të boshnjakëve në Bosnjë për liri, llogaritet si valë e dytë e këtyre luftëtarëve të huaj që kanë marrë pjesë diku me ardhjen e tyre atje, jo vetëm në aspektin humanitar dhe të luftës, por njëkohësisht edhe të shtrijnë ndikimin e tyre sa i përket ideologjisë më ekstreme fetare”, shpjegon drejtori i Anti- Terrorit në Policinë e Kosovës, deri sa shton se nisja ishte kur në rajonet e Ballkanit kryesisht islami është përfaqësuar nga shkolla juridike “Hanefi”, ndërsa në mesin e ligjëruesve kishte edhe imamë që kishin filluar të shtrinin ideologjinë vehabiste dhe salafiste.

Mulla Osmani, imam në Drenas tani, ka treguar se Bashkësia Islame ka qenë e papërgatitur pasi xhemati nuk kishte dijeni për rrymat islame.

“Ka sekte e rryma që për shembull sa i përket vehabizmit, shumë pak shqiptar edhe xhemati nuk ka pasur njohuri. Ka qenë bukur shoqëri e painformuar në aspektin e rrymave islame sikurse është rryma vehabiste në Arabinë Saudite dhe në përgjithësi në botë”, tregon Osman Musliu, i cili shton se rrymat e ndryshme kanë paraparë islamin radikal.

Në Kosovë, radikalizmi para vitit 1998 konsiderohej se ishte i zbehtë dhe nuk kishte pasoja të mëdha.

Kosova, një vend me më pak se 2 milion banorë, u bë vend i njohur në botë për shkak të shkuarjes së shumë qytetarëve në luftërat e huaja si Siri e Irak.

Mbi 400 qytetar kosovar morën rrugën drejt Sirisë dhe Irakut në emër të islamit për të luftuar ndërsa nuk munguan as thirrjet për të tjerët që kishin mbetur në Kosovë.

Media të shumta ndërkombëtare, tabloide, përshkruan Kosovën si vatër të terrorizmit me fokus në dy komuna, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Deri më tani Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka rikthyer në vend numrin më të madh të atyre që u bashkuan në zonat e luftës në Siri e Irak.

Gjithashtu, javët e fundit, Kosova arriti që të arrestoj një grup prej pesë personash të cilët dyshohej se të njëjtit po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë.

Caku ende nuk dihet ndërsa, lidhja e tyre sipas dosjes së Policisë së Kosovës, është edhe me organizatën e shpallur terroriste ISIS.

Të arrestuarit të cilët janë nga disa vende të ndryshme në Kosovë, që nga marsi i këtij viti po organizonin disa sulme ndërsa nuk kishin munguar as furnizimi me armë të rënda, si granatahedhës, armë të gjata, eksploziv e të tjera.

Të njëjtit po dyshohen për dy vepra penale, përgatitje e veprave terroriste si dhe furnizim, import, eksport te municioneve e materialeve plasëse.