'Stenta 3' - Gjykata kërkon precizimin e aktakuzës

Të akuzuarit e rastit “Stenta 3” Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani, Arton Beqiri, Lulzim Brovina, Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Blerim Zuna, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat e prokurorisë, si dhënie ryshfeti, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe vepra të tjera të ngjashme.

Për dallim prej të akuzuarve të lartcekur, në gjykatore nuk erdhi i akuzuari Borche Petrovski, i cili gjendet jashtë vendit.

Paraprakisht gjyqtari i rastit njoftoi palët se nuk ka kushte për fillimin e seancës pasi që i akuzuari Petrovski ka njoftuar gjykatën se do të mungonte.

Këtë njoftim e konfirmoi edhe avokatja e të akuzuarit, Merita Stublla- Emini.

Për këtë rast të akuzuar janë edhe tre persona juridik, spitali “Intermed”, spitali “Doktori” dhe “International Medicinë Hospital”.

Gjyqtari Ajvazi kërkoi nga Prokuroria që të precizohet aktakuza sa i përket disa prej pikave të aktakuzës për rastin ‘Stenta 3’.

“Aktakuza është e pa qartë, kërkoj nga prokuroria që të precizoj aktakuzën sa i përket pjesës 4, 5, 6, 7, 8, 9, dhe 10, duke kërkuar që të vlerësoj cilësimin juridik të tyre, gjithashtu ndarjen e diapozitivit, pasi që kemi një përshkrim faktik për dy cilësime juridike. Gjithashtu të vlerësoj nëse personat juridik mund të kryejnë veprën penale dhënie e ryshfetit”- tha gjyqtari Alban Avjazi.

Në këto rrethana seanca u shty për t`i dhënë afat prokurores, Arbëresha Shala, për precizim të aktakuzës, kurse seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 21 mars.

Kujtojmë që rasti “Stenta” konsiderohet si një ndër rastet më të mëdha mediatike që ka të bëjë me përfshirjen e mjekëve në afera korruptive.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Rasti ishte ndarë në tri pjesë duke marrë emërtime si “Stenta 1”, “Stenta 2”, dhe “Stenta 3”, meqë kishte përafërsisht 60 të akuzuar.

Në rastin e njohur si “Stenta 1”, të akuzuar ishin ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i të njëjtës ministri, Gani Shabani, të cilët ishin liruar nga akuza, lirimin e të cilëve e kishte vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë.

Stenta 2” po ashtu kishte përfunduar me aktgjykim lirues për të akuzuarit më 20 shtator të vitit 2023.  Në këtë rast akuzoheshin 36 persona, rasti ende nuk ka marrë epilog pasi nuk dihet ende nëse Prokuroria do ta ushtrojë të drejtën e ankesës apo jo.

Në rastin e njohur si “Stenta 3” të akuzuar janë Astrit Bakiqi, Abdullah Tuna, Driton Sylejmani e Arton Beqiri akuzohen se kanë dhënë ryshfet.

Të lartëcekurit akuzohen se nga vitit 2011 e deri në fund të vitit të vitit 2015 në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me të akuzuar që gjykohen në rastin e njohur si “Stenta 2” janë marrë vesh që t`i referojnë pacientët për procedura mjekësore në spitale private, ndonëse të njëjtit kishin kërkuar shërbime në spitale publike.

Për këto referime të njëjtit akuzohen se kanë dhënë shuma të caktuar të të hollave.

Pos të lartëcekurve të akuzuar për dhënie ryshfeti janë edhe Lulzim Brovina e Borche Petrovski, të cilët kishin punuar në spitalin “EDA”.

Ndërsa edhe disa persona, siç janë: Mahmut Qakmak, Shpend Elezi, Raif Qavolli dhe Arton Beqiri, akuzohen për trajtim të pa ndërgjegjshëm mjekësorë.

Këta sipas aktakuzës akuzohen se kanë përdorur mjete dhe metoda të pa përshtatshme për mjekimin e personave që kanë kërkuar trajtim në spitalin “IHM”.

Sipas aktakuzës për ushtrim të veprimtarisë së kundërligjshme mjekësorë janë edhe Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna për periudhën e njëjtë kohore të specifikuar si më lartë, 2011-2015.

Të njëjtit akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, se kanë punuar kohë pas kohe si mjekë edhe pse të pa licencuar në spitalin “Intermed”, ky i fundit – spital i cili ka qenë kohë pas kohe i pa licencuar.

Në këtë rast të akuzuar janë edhe tri subjekte juridike, spitali “IMH”, “Intermed” dhe spitali “Doktori”.

Dy të parët akuzohen për dhënie ryshfeti dhe trajtim të pa ndërgjegjshëm mjekësor kurse spitali “Doktori” akuzohet për shmangie nga tatami.