Foto-ilustrim

Refuzohet propozimi i Agron Bekës që kishte kërkuar nga Gjykata ta obligonte IKD-në ta largonte lajmin për të

Gjykata e Prishtinës me aktvendim ka refuzuar propozimin e Agron Bekës për caktimin e masës së sigurimit, përmes të cilës kishte kërkuar të caktohet urdhëresë gjyqësore që të obligohet IKD (Instituti i Kosovës për Drejtësi) që ta largojë një lajm nga ueb-faqja e “Betimi për drejtësi”.

Beka përmes përfaqësueses së tij kishte kërkuar nga Gjykata që së bashku me lajmin të largohet edhe linku i lajmit.

“Refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit-propozuesit Agron Beka, për caktimin e masës së sigurimit, përmes së cilës ka kërkuar që të caktohet urdhëresë gjyqësore ashtu që të obligohen kundërshtarët e sigurimit “ Instituti i Kosovës për Drejtësi”…, që të tërheq lajmin e datës 06.04.2022 së bashku me linkun i cili është publikuar në ueb-faqen betimipërdrejtësi.com me titull 4-dëshmitarë do të dëgjohen në rastin ku paditësi po kërkon 270 mijë euro nga anëtari i KPK-së, Agron Beka”- thuhet në aktvendimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, propozimi i palës paditëse për caktimin e masës së sigurisë në rrethanat aktuale është i pabazuar.

“Pas analizimit të provave që gjinden në shkresat e lëndës si dhe theksimeve të palëvë ndërgjyqëse në seancë dëgjimore, gjykata ka ardhë në përfundim se propozimi i palës paditëse për caktimin e masës së sigurisë në rrethanat aktuale, është i pabazuar.”- thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë.

“Gjykata pa paragjykuar vlerësimin meritor të kësaj çështjeje kontestimore dhe të drejtës subjektive të palës paditëse… gjeti se në këtë fazë të procedurës nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurimit”- thuhet tutje në aktvendim.

Brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh palët e pakënaqura me vendimin kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Agron Beka, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes avokates së tij Merita Stublla- Emini, kishte kërkuar nga Gjykata e Prishtinës ta obligojë Institutin e Kosovës për Drejtësi – Betimi për Drejtësi, që ta largojë një lajm nga ueb-faqja e tij.

Avokatja kishte kërkuar nga Gjykata që një vendim të tillë ta marrë menjëherë. Përfaqësuesja e Bekës pretendonte se kërkesa për caktimin e urdhëresës për largimin e lajmit në fjalë është e ligjshme.

Pala propozuese kishte theksuar se IKD me qëllim që të dëmtojë autoritetin dhe reputacionin personal e profesional të Agron Bekës, ka shpërndarë lajm të pavërtetë.

Sipas propozuesit, qëllimi i kundërshtarit të propozimit vërtetohet me faktin se përpos titullit me lajmin e pavërtetë për vlerën 270 mijë euro, përmendet edhe fakti se propozuesi është anëtar i KPK-së.

Pala propozuese kishte kundërshtuar në tërësi pretendimet e kundërshtarit të propozimit për largimin e lajmit.

“I kundërshtojmë në tërësi pretendimet e kundërshtarit të propozimit. Dhe në mes tjerash në dy rrethana: e para, e quajnë lëshim, por në fakt pranojnë se kanë pasur dashje ose qëllim të keq për ta dëmtuar propozuesin dhe pretendimi se kanë krijuar mekanizma të raportimit të drejtë dhe pa gabime është i paqëndrueshëm për faktin që brenda të njëjtit artikull kanë gabuar lidhur me datën e seancës, kanë gabuar me emrin e gjyqtarit, kanë gabuar me objektin ose vlerën e kontestit, etj.”- kishte thënë avokatja e Bekës.

Sipas saj, nuk është zhbërë dëmi ndaj palës edhe pas intervenimit të disahershëm në përmbajtjen e tekstit, i cili fillimisht ishte 270 mijë, pastaj 27 mijë, e pastaj 12 mijë.

“Intervenimit e tyre të disahershme në përmbajtjen e tekstit fillimisht 270 mijë, 27 mijë, pastaj 12 mijë, por nuk e kanë zhbërë demin që ia kanë shkaktuar propozuesit” – kishte thënë Merita Stublla-Emini.

Sipas avokates, pavarësisht intervenimeve në përmbajtje të tekstit, linku përsëri ka mbeturi i njëjtë.

Sipas kundërshtuesve të propozimit, kërkesa për vendosjen e masës dhe kërkesa për vendosjen e urdhrit mbetet e paqartë, si në kuptim të përmbajtjes, ashtu edhe në kundërshtim me nenin 297 të Ligjit të Procedurës Kontestimore.

Tutje kundërshtarët e masës kishin thënë që masa e sigurisë nuk mund të caktohet për ndryshimin e një rrethane e as për krijimin e rrethanave që dikush mund t`i kërkojë që eventualisht ta mbështesë padinë. E sipas tyre kjo kërkesë nuk mbështetet në Ligjin e Procedurës Kontestime.

“Masa e sigurimit nuk mund të caktohet për ndryshimin e një rrethane e as për krijimin e rrethanave që dikush mund t`i kërkojë që eventualisht ta mbështes padinë. Propozuesja e masës sot nga gjykata ka kërkuar një kërkesë e cila nuk mbështet me Ligjin e Procedurës  Kontestimore, sepse unë nuk dëgjova deri tani se me cilën kërkesë kërkohet ruajtja e gjendjes e cila do të mbështetej në Ligjin e Procedurës Kontestimore”- kishte thënë Kujtim Kërveshi, avokati i palës kundërshtuese.

Sipas tyre, gabimi teknik ishte korrigjuar, dhe mbetet në vlerësim të teknologjisë informative se kujt i kanë mbetur lajmet e hapura paraprakisht.

“Kundërshtari i masës gabimin teknik e ka korrigjuar, është çështje e vlerësimit të teknologjisë informative se kujt dhe si i mbesin lajmet e hapura paraprakisht, dhe se për shumëçka që këtu u fol, në përmbajtje të petitiumit të padisë ne përveç një prove, nuk kemi pranuar ndonjë provë tjetër nga gjitha ato që u thanë në këtë seancë”- kishte thënë Kërveshi.

Tutje, Kërveshi kishte kërkuar nga Gjykata që propozimi për masë nga propozuesja të refuzohet pasi që, sipas tij, i njëjti propozim për masë është i pa objekt dhe i kundërligjshëm.

Në prill të vitit 2022, Agron Beka kishte paditur Institutin e Kosovës për Drejtësi me platformën “Betimi për Drejtësi”, si dhe Ronesa Dragushën në cilësinë e raportueses – autore, për shpifje dhe fyerje.

Në këtë padi, paditësi Beka po kërkon nga Instituti i Kosovës për Drejtësi t`i paguajë shumën prej 100,000.00 euro me kamatë ligjore prej 8% në vit, prej dorëzimit të padisë në gjykatë në emër të shpifjes dhe fyerjes-dëmtimit të reputacionit personal, profesional, dëmtimit të dinjitetit, personalitetit.

Gjithashtu me këtë padi Beka po kërkon nga të paditurit e lartcekur që të tërhiqen në tërësi nga shkrimi me titullin “Katër dëshmitarë pritet të dëgjohen në rastin ku paditësi po kërkon 270 mijë euro nga anëtari i KPK-së, Agron Beka”.