Reagimet e përfaqësuesve të 'YIHR'-së pas fitores ligjore ndaj Televizionit 'Klan Kosova'

Beteja ligjore një dekadëshe në mes të Televizionit “Klan Kosova” dhe organizatës “YIHR” ka marrë epilogun përfundimtar nga gjykatat e rregullta gjatë kësaj jave.

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin i cili konstatonte se organizata “YIHR” nuk kishte bërë shpifje në raportin “TKURRJA E HAPËSIRËS PUBLIKE, Qeverisja dhe Liria e Shprehjes në Kosovë”, në të cilin kishte theksuar se “Klan Kosova” e cila udhëhiqej asokohe nga Baton Haxhiu, favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës.

Apeli me këtë rast e ka refuzuar ankesën e “Klan Kosovës” me të cilën kërkonte që ta detyronin “YIHR”-në në kompensim prej 285 mijë euro në emër të shpifjes së pretenduar në drejtim të ‘Klan Kosovës’.

Pas publikimit të këtij vendimi nga Gjykata e Apelit ka reaguar autori i raportit të “YIHR” Alex Anderson.

Anderson ka thënë se që nga koha kur e kishte publikuar këtë raport kishin filluar sulme të ashpra ndaj tij.

“Pasi, në maj të vitit 2010, u botua raporti im me 50 faqe për Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, “TKURRJA E HAPËSIRËS PUBLIKE, Qeverisja dhe Liria e Shprehjes në Kosovë”, Baton Haxhiu filloi një javë sulmesh të ashpra personale ndaj meje në Gazeta Express dhe ngriti një padi gjyqësore false për 285,000 €, për vërejtjen e saktë të raportit të asaj që ishte krejtësisht e qartë, se TV Klan Kosova (që atëherë udhëhiqej nga ai) favorizoi PDK-në që atë kohë ishte në pushtet”, ka thënë Anderson.

Ai tha se në momentet që mbrojti raportin e tij i mbrojti në tërësi edhe shoqërinë civile në Kosovë.

“Në mbrojtjen e çështjes gjyqësore unë isha shumë i vetëdijshëm se unë po mbroja jo vetëm punën time dhe organizatën që e publikoi atë, por shoqërinë civile të Kosovës në tërësi. Shumë falenderime për të gjithë ata që mobilizuan dhe ndihmuan për të siguruar rezultatin e duhur”, ka thënë Anderson, autori i raportit të YIHR.

Ndaj vendimit të Apelit ka reaguar edhe Avokatja Merita Stublla- Emini e cila e përfaqësoi në Gjykatë organizatën YIHR.

Emini tha se vendimi i Apelit është i drejtë, pasi nuk kishim të bënim me shpifje, por me mbrojtjen e interesit publik.

“Vendimi është i drejtë, gjykata ka vendosur në dy rastet drejtë, paditësi nuk ka arrit me e dëshmu çështjen e shpifjes dhe fyerjes”, tha avokatja.

Ajo tregoi për sfidat që ka pasur për ta argumentuar mbrojtjen e interesit publik – mediave në këtë çështje.

“Ka pas sfida në proces, e para se koncepti i shpifjes shumë shpesh nuk kuptohet drejtë, raporti nuk ka pas të bëjë me konstatim por me mbrojtjen e interesit publik të mediave që në çdo rrethanë e përjashton fyerjen dhe ky raport ka pas këtë qëllim”, tha Stublla Emini.

Emini shtoi se objekt i hulumtimit që është paditur ka qenë vigjilimi i qeverisjes dhe lirisë së shprehjes në Kosovë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin Arianit Koci, i cili e ka përfaqësuar Televizionin “Klan Kosova” në këtë çështje, mirëpo i njëjti ka thënë se nuk mund të deklarohet pa e marrë autorizimin nga paditësit.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Televizionit “Klan Kosova”, Adriatik Kelmendi ka thënë për KALLXO.com, se nuk është i njoftuar për këtë proces pasi ka ndodhur gjatë menaxhmetit të kaluar të televizionit.

“Nuk kam pas njoftim hiq për këtë proces, as çka ka ndodhë, na duhet me shiku për çka bëhet fjalë, cilat kanë qenë argumentet, kur i kam këto vendosim, kjo ka të bëjë me diçka që ka qenë para vitit 2010, kur ka qenë krejt një menaxhment tjetër në Klan Kosova”, tha Kelmendi.

Përpos drejtorit Kelmendi KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me ish-drejtorin e ‘Klan Kosova’, Baton Haxhiu. Mirëpo, i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

KALLXO.com sot ka raportuar se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar refuzimin e padisë së Televizionit ‘Klan Kosova’ të paraqitur kundër Youth Initiative For Human Rights, me të cilën kishte kërkuar kompensim në vlerë prej 285 mijë euro në emër të shpifjes dhe fyerjes.

Televizioni ‘Klan Kosova’ me përfaqësuesin ligjor Baton Haxhiu, kishin paditur organizatën “YIHR” për shpifje dhe fyerje pas thënieve të kësaj organizate në raportin “State of constriction”.

Në këtë raport sipas padisë “YIHR” citohet të ketë thënë se Televizioni i ri ‘Klan Kosova’ po e favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës – PDK.

Të prekur nga këto deklarata me 25 qershor të vitit 2010 Televizioni “Klan Kosova” kishte ushtuar padi në Gjykatë me pretendimet për dëmtim të imazhit dhe kishte kërkuar plotë 285 mijë euro.

Kompensim prej 235 mijë euro ishin kërkuar me arsyetimin se Televizioni ishte dëmtuar në marketing, pasi sipas tyre shumë klientë kishin refuzuar të nënshkruanin kontrata marketingu pas këtyre deklaratave, ndërsa 50 mijë euro ishin kërkuar për dëmtim imazhi. Kërkesat e ‘Klan Kosovës’ ishin refuzuar nga Gjykata e Prishtinës dhe së fundi nga ajo e Apelit.

Apeli e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila kërkesën e ‘Klan Kosovës’ e kishte konsideruar si të pabazuar.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe drejtë ka vërtetuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shpifje.

Kërkesa e ‘Klan Kosovës’ ishte refuzuar në prill të vitit 2018 nga Gjykata e Prishtinës. Sipas kësaj gjykate në këtë rast nuk ka pasur kurrfarë rrënimi të reputacionit të paditësit ‘Klan Kosova’, e as të përfaqësuesit juridik të saj Baton Haxhiu.

Mungesën e rrënimit të reputacionit shkalla e parë e kishte arsyetuar me vetë deklaratën e Haxhiut, i cili kishte deklaruar gjatë procedurës se ‘Klan Kosova’ vazhdimisht ka pasur rritje dhe tendenca të vazhdueshme për rritje.

Gjykata e Prishtinës kishte konstatuar se pretendimi i paditësit për dëmin e shkaktuar ka qenë i pa argumentuar dhe se paditësi nuk kishte ofruar prova se cilat kontrata dhe me cilët klientë nuk ishin nënshkruar kontratat si pasojë e deklaratave të organizatës YIHR.

Ky është raporti i organizatës “YIHR” për pjesë të së cilit ishin paditur nga televizioni “Klan Kosova”.