Stano: Detyra e BE-së është normalizimi i raporteve Kosovë- Serbi, njohja është larg në proces

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen më 02.07.2024 në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Teksa ka kofirmuar se palët do të diskutojnë për “nisjen urgjente me zbatim të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, u pyet edhe për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Stano deklaroi se objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve, teksa shtoi se detyrë e BE-së është që të ndihmojë palët që të arrijnë këtë qëllim. Ai tha se konsekuencë logjike e normalizimit do të ishte njohja, por se, sipas tij, “kjo është diçka shumë larg në këtë proces”.

“Objektivi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është normalizimi i marrëdhënieve. Kjo detyrë është i është dhënë BE-së si lehtësuese-që të punojë për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë normalizimin e marrëdhënieve. Pra, nuk ka asnjë njohje aty. Sigurisht, konsekuencë logjike e normalizimit do të ishte njohja, por kjo është diçka shumë larg në këtë proces. Dhe pesë shtetet jonjohëse do të marrin vendimin e tyre bazuar në atë se çka ata shohin si të nevojshme dhe relevante por nuk është kjo çështje që po trajtohet në kornizën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”- u shpreh Stano.

“Po e përsëris, detyra është normalizimi i marrëdhënieve, kurse përkufizimi në fund, kur të mbërrijmë aty, apo thënë më mirë kur palët të arrijnë aty me asistencën tonë, do të definohet nga vetë ata, se çka kuptojnë me normalizim dhe çka do ishte konsekuenca e normalizimit”- shtoi ai.

Takimi mes dy kryenegociatorëve u paralajmërua edhe javën e kaluar në Bruksel, nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, porse një takim trepalësh nuk ndodhi.

Kjo pasi Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit.

Kryeministri theksoi se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijne nëpërmjet tri garancive që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi  marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.

“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë se do të respektohen. Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Millan Radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Millan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Kurti: Kërkova tri garanci, nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiq