Greva në Gjykatën e Prizrenit

Stafi administrativ i Gjykatës së Prizrenit hyn në grevë

Administrata e Gjykatës së Prizrenit, nga dita e sotme ka hyrë në grevë.

“Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prizren, ju njofton se duke u bazuar në vendimin e Sindikata Pavarur e Judikaturës së Republikës së Kosovës, nga data 14.03.2022 (E Hënë) Administrata e Gjykatës Themelore në Prizren, është në grevë”, thuhet në njoftim.

Përmes një komunikate për media, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës të Prizrenit ka njoftuar se gjatë kësaj kohe do të kryhen disa shërbime.

Gjatë kohës së grevës do të lëshohen certifikatat dhe vërtetimet me kërkesë të palës apo institucioneve publike, do të mbahen seancat për lëndët me propozimet për shqiptim të masave të përkohshme apo për shqiptimin e masave të sigurisë, lëndët lidhur me pengim posedimin, lëndët lidhur me dhunën në familje si dhe të gjitha punët dhe shërbimet tjera të cilat sipas legjislacionit duhet të trajtohen me urgjencë nga gjykatat.

Tutje në njoftim thuhet se greva e administratës do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Aprovimin e ligjit për punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive duke u bazuar në projekt ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zyrtar Publik 06/L-114 neni 2 pika B. Përafrimi pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pagesa lineare nga 150 euro, për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Të paguhet shujta ditore në shumën prej 3 euro. Të paguhet pagesa e udhëtimit në shumën prej 3 euro”, janë kërkesat e administratës.

Në fund të njoftimit thuhet se është pezulluar çdo aktivitet tjetër që përfshin punëtorët e stafit administrativ, deri në njoftimin e radhës.

KALLXO.com ka raportuar për grevat në administratat e caktuara gjyqësore të Kosovës.