Ilustrim
Stafi administrativ i Prokurorisë së Prizrenit hyn në grevë
Punëtorët e administratës të Prokurorisë së Prizrenit nga dita e sotme kanë hyrë në grevë.
Greva po mbahet me kërkesën për aprovimin e Ligjit për punëtorët e administratave të gjykatave dhe prokurorive.
Greva për momentin ka pezulluar punën me përjashtim të rasteve të paraburgimit.
Burimet e KALLXO.com kanë bërë të ditur se asnjë lëndë nuk do të pranohet në prokurori përveç rasteve urgjente të paraburgimit.
KALLXO.com ditë më parë ka raportuar për grevën e administratës në Gjykatën e Prishtinës, organizuar nga Shoqata Sindikale e kësaj gjykate.
Nga 1 marsi punëtorët e administratës të Pallatit të Drejtësisë kanë filluar grevën me kërkesën për aprovimin e Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive.
Seancat gjyqësore janë shtyrë përsëri në përjashtim të rasteve të paraburgimit dhe të dhunës në familje.
Përmes një komunikate në media, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se nuk e përkrah grevën e nisur nga punëtorët e administratës së Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë.
Këshilli ka bërë thirrje që të rishqyrtohet vendimi për fillimin e grevës dhe punëtorët t’i kthehen punës në mënyrë që t’iu jepet hapësirë institucioneve përgjegjëse për përmbushjen e kërkesave.