Foto: Spitali i Pejës/Facebook

Spitali i Pejës do të monitorohet në kohë reale nga kamerat

Spitali i Përgjithshëm në Pejë në kuadër të shtimit të masave të sigurisë brenda hapësirave të spitalit, ka njoftuar se kanë funksionalizuar dhomën për monitorimin e kamerave të sigurisë në kohë reale.

Në njoftim është thënë se realizimi i këtij projekti në tërësi është kryer nga punëtorët e spitalit dhe nuk ka pasur asnjë implikim buxhetor.

“Me këtë sistem synojmë që të rrisim sigurinë brenda dhe jashtë hapësirave të spitalit, ku në kohë reale do të monitorohen hapësirat nga një punëtor i caktuar enkas për këtë detyrë” – tregohet në njoftim.

Tutje është thënë se investimet në siguri i shohin tejet të rëndësishme duke u nisur nga fakti që Spitali i Pejës ka frekuentim të madh.

Në njoftim tregohet se gjatë këtij viti zyrtarët e këtij spitali synojnë që të investojmë në sistemin e kamerave moderne, duke synuar mbulueshmërinë 100 për qind të hapësirave brenda dhe jashtë spitalit.