Ilustrim

Specializantët me vetëfinancim ankohen për vonesa të pagesave, Ministria e Shëndetësisë tregon arsyet

Specializantët me vetëfinancim po ankohen se pagesat e tyre Ministria e Shëndetësisë nuk po i ekzekuton asnjëherë me kohë, ndonëse kur Qeveria miratoi kërkesën për këto pagesa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se këtë çështje e konsideron prioritet.

“Nga data 24 dhjetor 2022 deri më 21 mars 2023 nuk kemi marrë pagë” – thotë Nol Smajli, anëtar i Këshilli të Specializantëve.

Pagesën e janarit ai thotë se e kanë marrë më 21 mars. Ndërkaq, sipas Smajlit, pagesën e shkurtit e kanë marrë vetëm një pakicë më 31 mars. Ndërkaq, pjesës tjetër i janë ekzekutuar sot më 7 prill.

“Ankesa ka çdo ditë për shkak se jemi në një moshë madhore dhe ka specializantë që mbajnë familje me këto të hyra, udhëtojnë çdo ditë për Prishtinë, me dalë në punë e shumë arsye të tjera. Pagesat janë jetike për të gjithë” – tregoi ai.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com tha se pagat e janarit dhe të shkurtit janë ekzekutuar gjatë muajit mars.

Njëra prej arsyeve të këtyre vonesave Ministria thotë se është buxheti i aprovuar për këto subvencione, i cili ka qenë i pamjaftueshëm.

MSH ka renditur edhe disa arsye të tjera.

“Deri më 8 shkurt nuk është aprovuar vendimi në Qeveri për mbështetje te specializantëve me vetëfinancim. Pas vendimit te Qeverisë, MSH-së i është dashur kohë deri në përgatitjen e një kontrate unik për specializantët” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, Ministria thotë se kur ajo merr listën e pagave nga njësitë ku shërbejnë specializantët, asaj i duhet të verifikojë pjesëmarrjen/vijueshmërinë e tyre në programin specialistik, e cila konfirmohet nga mentorët dhe komitetet specialistike.

“Gjithashtu, pas vendimit ishte konstatuar se buxheti i aprovuar për subvencione nga Ministria e Financave, në lotet e dërguara për ekzekutim nuk ka pasur mjete të mjaftueshme dhe gjatë kësaj kohe u kërkua rishpërndarja e mjeteve financiare në kode respektive” – njofton Ministria e Shëndetësisë.

Smajli thotë se ata kanë kërkuar nga Ministria që të bëjë një zgjidhje.

“Kemi kërkuar që të jetë një datë e caktuar, por nuk po na informojnë se ku është problemi. Si duket problemi qëndron te administrata e MSH-së dhe e Thesarit, ku si duket askush nuk u bën presion për me qenë më të shpejtë në përgatitje të pagesave. Gati 24 muaj nuk munden me e gjetë një zgjidhje që këto pagesa të jenë të rregullta, prapë çdo muaj i njëjti problem” – tha ai për KALLXO.com.

“Jemi doktorë të mjekësisë që kemi sakrifikuar një jetë për këtë profesion, e që na thërret banka çdo ditë për të paguar detyrimet që i kemi. Kurse ne nuk kemi përgjigje për arsyet e këtyre vonesave” – u shpreh në kushte anonimiteti një nga specializantët e irrituar me këtë gjendje.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i vogël krahasuar me vendet e rajonit dhe se pagesën e specializantëve me vetëfinancim, MSH e konsideron si çështje me prioritet.

Qeveria miraton kërkesën për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim