Qeveria miraton kërkesën për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën specializantëve me vetëfinancim prej datës 1 janar 2023 deri me datë 31 dhjetor 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për ofrim të shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e vendit, MSh ka kërkuar që t’i aprovohet kërkesa e 580 specializantëve me vetëfinancim.

“Për ofrim të shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e Republikës, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që t’i aprovohet kërkesa e 580 specializantëve me vetëfinancim”- tha Kurti.

Kërkesën para kabinetit qeveritar e ka bërë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Ministria e Shëndetësisë përmes politikave shëndetësore, si dhe përmes zbatimit të legjislacionit në fuqi parasheh shkollimin specialistik me qëllim aftësimin në fushat e ndryshme të kujdesit shëndetësor. Specializantët të cilët i nënshtrohen këtij shkollimi profesional dallon për sa i përket kategorive të financimit  me buxhet të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të komunave e institucioneve private, apo me vetëfinancim” – tha Vitia.

Më tej ministri tha se numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i vogël krahasuar me vendet e rajonit dhe se pagesën e specializantëve me vetëfinancim, MSh e konsideron si çështje me prioritet.

“Numri i kuadrove profesionale shëndetësore në vend është shumë i vogël krahasuar me vendet e rajonit, përveç kësaj edhe vendet e tjera përballen me këtë problematikë duke marrë hapa për të rritur numrin e mjekëve përmes stimulimit dhe krijimit të një ambienti tërheqës për ta. Ministria e konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet për vendin. Kjo do te ndikoj pozitivisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse” – theksoi ai.

Përveç kësaj, Qeveria ka aprovuar kërkesën për pagesën e specializantëve me vetëfinancim nga Republika e Shqipërisë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Kurti tha që në këtë pagesë hyjnë 10 specializantë me vetëfinancim nga këto tri shtete.

Ndërsa ministri Vitia tha që ky vendim është ngjashëm siç është vepruar më specializantët nga Lugina e Preshevës.