Spanca: ZKA nuk pati mundësi të auditojë komunat veriore për vitin 2022, auditoi për herë të parë KEK-un

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka njoftuar se për vitin 2022 nuk kanë mundur të bëjnë auditimin në 4 komunatme shumicë serbe në veri të vendit, përderisa ka theksuar se për herë të parë është bërë auditimi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Spanca theksoi se në katër komunat veriore, për shkak të rrethanave të krijuara, edhe pse e kanë iniciuar auditimin, nuk kanë mundur të zhvillojnë auditimin.

“Prej 97 auditimeve, 51 i takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrjeve publike (përfshirë edhe RTK-në). Vlen të theksohet se Korporata Energjetike e Kosovës këtë vit është audituar për herë të parë  në aspektin e Pasqyrave Financiare”- tha ajo në konferencë për media.

Auditorja poashtu ka përmendur disa nga të gjeturat kryesore nga auditimi në KEK, duke theksuar se bazuar  në qarkullimin e vitit  2022, vërehet se KEK-u ka performuar me fitim prej  mbi 100 milion euro.

Tutje ajo ka listuar gjetjet që i kanë hasur nga audtimi në këtë ndërmarrje.

“Mos rivlerësimi i pasurive për më shumë se 19 vjet – Kompania nuk kishte kryer rivlerësimet periodike për pasuritë afatgjata për më shumë së 19 vjet. Për më tepër, 75% e gjithsej regjistrit të pasurisë janë pasuri në përdorim por të zhvlerësuara tërësisht. Ndërmarrja nuk ka arritur përgjatë  viteve të identifikoj dhe regjistrojë vlerën e drejtë të të gjitha pronave të saj. Ndërmarrja, nuk i kishte regjistruar në regjistrin e pasurisë 1.7 hektar tokë ndërtimore në qendër të Prishtinës, 116.88 hektar tokë rurale dhe pyjore në Vasilevë, Komuna e Drenasit.”

Në anën tjetër, sipas gjetjeve, ndërmarrja mbante në regjistër pasuri që nuk i takojnë si: 1.12 hektar tokë në Milloshevë dhe 5 pasuri infrastrukturë hekurudhore në Podujevë në vlerë 341 mijë euro.

“Ndërmarrja, nuk ka bërë shpalosjet e duhura për sa i përket disa detyrimeve kontingjente që kanë të bëjnë më ndëshkime apo konteste gjyqësore. Gjithashtu, në raport janë shpalosur edhe disa mangësi që kanë të bëjnë me fushën e menaxhimit financiar dhe kontrolleve, si dhe në prokurimin publik”-tregojnë gjetjet.

Tutje në këtë konferencë, auditorja Spanca tha që prej 97 auditimeve, 51 i takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrjeve publike (përfshirë edhe RTK-në).

Zyra Kombëtare e Auditimit është duke bërë publikimin e raporteve të auditimit për institucione të ndryshme.

KALLXO.com në vazhdimësi është duke raportuar për të gjeturat e ZKA-së për institucionet e audituara.

ZKA planifikoi 134 auditime, Auditorja e Përgjithshme jep detaje mbi procesin