Spahiu: Poshtërim i madh ndaj qeverisë dhe Kosovës vendimi për anulim të mbledhjes së përbashkët

Politologu Nexhmedin Spahiu e ka quajtur poshtëruese dhe ofenduese anulimin e mbledhjes së dy qeverive nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Spahiu në emisionin, “Kallxo Përnime” tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat e qeverisë nuk duhet të pranojnë takim me Edi Ramën.

Politologu Spahiu e quajti sanksion ndaj Kosovës një veprim të tillë të kreut të ekzekutivit shqiptar.

“Mua më duket një poshtërim shumë i madh që i është bërë jo vetëm qeverisë por edhe Kosovës në një situatë kur Kosova ka nevojë për përkrahje. Nëse nesër Albin Kurit i përgjigjet Edi Ramës, do të ishte shumë poshtëruese. Kryeministri dhe asnjëri nga ministrat nuk do të duhej ta pranonin takimin. Ky është një sanksion, një sanksion nga Shqipëria. Nëse fillojnë edhe shtete e tjera në nivelin e Shqipërisë me dhënë sanksione, këso shuplaka, mendoj që duhet t’u tregohet vendi”- tha Spahiu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi për anulimin mbledhjes së dy qeverive që pritej të mbahej nesër.

Rama tha se ka propozuar që të mbahet një takim në rreth më të ngushtë ku do të përfshiheshin ministrat e punëve të jashtme dhe ata të mbrojtjes.

Ai deklaroi se për këtë nuk ka pasur një dakordim me kryeministrin e Kosovës por që shpreson se nuk është përgjigja përfundimtare e Kurtit.

Rama: Kam kërkuar takim në format më të ngushtë me Kurtin, nuk jemi dakorduar për këtë propozim