Sonte nis Festivalit ‘Mitrovica Guitar Days’

Edicioni i 5-të i Festivalit ‘Mitrovica Guitar Days’ hapet sonte në hapësirat e Muzeut Qytetit në Mitrovicë.

Festivali hapet me koncertin e kitaristit të mirënjohur polak Marcin Dylla dhe nisë në ora 19:30.

Anisa Suhodolli- Mujka, koordinatore e OJQ “KosovaArs”, e cila e organizon festivalin “Mitrovica Guitar Days”, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se ky festival ka si qëllim sjelljen në Kosovë te emra të mëdhenj të muzikës klasike, specifikisht të kitarës.

Krejt kjo, sipas saj bëhet në mënyrë që të rinjtë, studentët e artdashësit, të kenë mundësi që për së afërmi të mund t’i shohin artistët të cilët në të shumtën e rasteve kanë mundësi t’i shohin vetëm në youtube.

“Përmes masterklaseve dhe workpshopeve me po këta artistë, studentët do të kenë mundësi të kenë kontakt direkt me artistët dhe kjo na shpie deri te zbulimi i talentëve të rinj, dhe inspirimi për gjeneratat që të vazhdojnë edhe me tutje me ushtrimet e me artin”- ka thënë ajo.

Koordinatorja Suhodolli- Mujka thotë se këtë vit, festivali do të jetë më i zgjeruar ku muzika flamenco dhe muzika klasike e miksuar me tradicionalen do të dëgjohen në skenën e festivalit.

“Festivali zgjat për një javë, dhe ne kemi nderin dhe kënaqësinë të informojmë që këtë vit pjesëmarrës do të jene dy yje të muzikës klasike botërore, dhe artistë të tjerë të famshëm globalisht: Marcin Dylla nga Polonia, Aniello Desiderio nga Italia, Efgan Rende dhe Ali Kazim Akdag vijnë nga Turqia si Baglama and Guitar duo Agron Peni, Erhan Mujka, Drilon Çoçaj dhe Kreshnik Berisha”, ka thënë Suhodolli Mujka.

Suhodolli- Mujka ka thënë se sot në program është koncerti i Marcin Dylla, për të vazhduar më datë 21 shtator me koncertin e Aniello desiderio, më 22 do të jetë Agron Peni Trio, dhe më datë 23 do të jetë koncerti i “Baglama dhe Guitar Duo”.

Ajo ka thënë se nata e fundit, më 24 shtator është rezervuar për koncertin në të cilin të gjithë pjesëmarrësit në masterklasë do të kenë mundësinë të shpalosin talentin e tyre, dhe pajisen me certifikata për pjesëmarrje.

”Siç u cek edhe në fillim, synimi i festivalit është të inspirojë gjeneratat e reja për t`u marr me muzikën, që të iu ofrohet mundësia e artë e edukimit joformal përmes masterklaseve e workshopeve, të përjetojnë mundësinë e të dëgjuarit të muzikës ‘live’ nga artistët më të famshëm ndërkombëtar e edhe atyre vendor”- ka thënë Anisa Suhodolli- Mujka.

Ajo thotë se qëllimi për organizmin e këtij festivali është ngritja e vetëdijes kulturore dhe të ju ofrohet një mundësi tjetër kulturore në qytetin e Mitrovicës.