Skenderaj, hapet diskutimi publik për projektin për Parkun Industrial në Marinë

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se nga sot deri më 4 prill do të dalë në diskutim publik draft-plani rregullues i projektit “Parku Industrial në Marinë 2021-2029”, më qëllim që t’u nënshtrohen vërejtjeve, komenteve dhe sugjerimeve të publikut para se të finalizohet.

Sipas njoftimit të Komunës, takimi me qytetarë do të bëhet në Sallën e Kuvendit të Komunës së Skenderajt, më 19 mars në ora 10:00, ndërsa në të njëjtën ditë do të mbahet prezantimi publik shtesë në Polac në shkollën fillore “Drenica” në ora 14:00.

Më tej, siç bëhet e ditur, ekspozimi i Projekt-planit rregullues të hollësishëm bëhet nga nesër në hollin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Skenderajt.

“Shpallja e njoftimit për takimin me qytetarë për shqyrtim publik të projekt Planit Rregullues të Hollësishëm “Parku Industrial në Marinë 2021-2029, bëhet tetë  (8) ditë, para mbajtjes  së tij përmes mjeteve të informimit publik, përkatësisht tri (3) gazetat e përditshme, faqen e internetit të Komunës, dhe në mediat televizive publike dhe lokale”, thuhet në komunikatën e Komunës së Skenderajt.

Në këtë link mund ta shikoni shikoni të plotë draft-planin rregullues të hollësishëm “Parku Industrial në Marinë 2021-2029”.

Ky draft mund të shkarkohet përmes web faqes së Komunës së Skenderajt, po ashtu rekomandimet dhe sugjerimet eventuale qytetarët mund t`i paraqesin  në adresën zyrtare [email protected].

Çështja e projektit të Parkut të Biznesit në Marinë ka qenë temë diskutimi edhe në debatin “Jeta në Komunë” që është mbajtur në tetor të vitit 2020.

Jetësimi i këtij projekti ka qenë edhe në mesin e premtimeve të kryetarit Bekim Jashari.