Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblistja e PDK-së ia konteston Jasharit procedurat për Parkun e Biznesit në Marinë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kishte uruar disa herë qytetarët për projektin e Parkut të Biznesit në Marinë, ndonëse dy vite mbrapa punimet ende nuk kanë filluar.

Jashari gjatë emisionit “Jeta në Komunë” ka fajësuar “procedurat burokratike” të nivelit qendror për ta jetësuar këtë projekt. Mirëpo, paralajmëroi se do të fillojnë vitin e ardhshëm për infrastrukturën e brendshme.

“Ne si Komunë i kemi pagu pjesën e 20 përqindëshit, tokën e kemi qit në emër të Komunës dhe të gjitha këto vonesa që kanë ndodhë është burokracia që e ka shteti jonë. Duhet nëpër çdo ministri me marrë pëlqimin, aktualisht jemi te Ministria e Bujqësisë, por mos të bëja unë presion do të ishim ende mbrapa. Është dashtë vetë në çdo ministri me bë presion se pse po vonon. Për shkak të burokracisë të vendit tonë po ikin edhe shumë investitorë”, tha ai.

“Po shpresoj që me këtë vit do ta mbyllim këtë burokraci e gjithë këto letra e në tjetrin vit me fillu me infrastrukturë të brendshme”, tha ai.

Ndërlidhur më këtë ka reaguar asamblistja nga radhët e PDK-së, Besarta Meha. Ajo ka kontestuar se Komuna ka marrë miratimin nga Ministria e Pushtetit Lokal.

“Ministria e Pushtetit Lokal e ka vërtetu atë, e kam me vete edhe raportin e Ministrisë, ku e ka kontestu të kundërligjshme”, tha Meha.

Ndërkaq, Jashari u kundërpërgjigj duke thënë se gjithçka është në rregull.

“Kemi marrë pëlqime të ndryshme. Gjithçka është në rregull. Problemi është se këta (PDK) e ka votu kundër, edhe për qata po i dhemb”.

“Raporti i fundit është kthy pozitiv, kemi ec tutje. Gjithçka ka marrë fund”, u përgjigj Jashari.