Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë 20 shkurt 2023 – Foto: Presidenca ukrainase/ ueb-faqja zyrtare

Si u mbajt sekret udhëtimi i Bidenit në Ukrainë

Udhëtimi sekret i presidentit amerikan, Joe Biden në Ukrainë është bërë me tren nga kufiri i Polonisë, raporton gazeta amerikane New York Times.

Vizita në Kiev mbeti sekret për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Raportet thonë gjithashtu se Biden u largua nga Uashingtoni pa paralajmërim pasi ai dhe gruaja e tij Jill kishin një darkë të rrallë në një restorant të shtunën mbrëma.

Zyrtarët kishin mohuar se Biden do të vizitonte Ukrainën gjatë udhëtimit të tij të planifikuar në Evropën Lindore.

New York Times raporton se “Në të vërtetë, Shtëpia e Bardhë të dielën mbrëma lëshoi një orar publik për të hënën, ku tregohej presidenti ende në Uashington dhe nisej në mbrëmje për në Varshavë, kur në fakt ai ishte tashmë gjysmë bote larg.”

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Kiev – vizita e tij e parë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë pothuajse një vit më parë.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në rrjetin Twitter shkroi se teksa po afrohet një vjetori i pushtimit të Ukrainës nga Rusia sot është në Kiev në takim me presidentin Volodymyr Zelensky.

“Teksa i afrohemi përvjetorit të pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, sot jam në Kiev për t’u takuar me Presidentin Zelenskyy dhe për të riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kur Putin filloi pushtimin e tij gati një vit më parë,  mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Ai mendoi se mund të na kalonte. Por ai kishte shumë gabim”- shtoi tutje Biden./BBC