Kulla e Isa Boletinit në fshatin Boletin të Zveçanit për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë- Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Si u festua 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë në vendlindjen e Isa Boletinit?

Me këngë patriotike, program, recitime e valle nisi dita në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Qytetarët u mblodhën në hapësirat e Kullës së Isa Boletinit, në vendin ku valvitet flamuri kombëtar e ndodhen varrezat e dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

Dyert e kullës u hapën për qytetarët, të cilët i priste stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili falënderoi ata për ardhjen në, siç tha ai, pjesën më të lavdishmen.

“Falë kontributit kemi arsye që të festojmë. U uroj të gjithë shqiptarëve, të cilët i bashkon kjo festë me një zemër, me një shqiponjë. Unë uroj që të jemi të bashkuar dhe të vazhdojmë rrugën tonë të shenjtë”- tha Boletini.

Pranë portretit të Isa Boletinit, vajza të veshura kuq e zi, kënduan himnin e Shqipërisë e më pas zyrtarët komunalë bënë homazhe te varrezat e të ndjerëve.

I pari i Zveçanit, Ilir Peci, u uroi 113-vjetorin e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve anëmbanë, duke bërë thirrje që të jenë gjithnjë e më shumë të bashkuar.

“Urime 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Dashtë Zoti të jemi edhe më të bashkuar se sot. Nga historia e lashtë e shqiptarëve vetëm bashkimi na ka sjellë në këtë moment ku jemi pothuajse të gjitha trojet shqiptare të bashkuara dhe e kemi një ide të përbashkët”- theksoi Peci.

Homazhet e komunarëve

Qytetari i veshur si Isa Boletini, Sadik Maxharaj, ka ardhur te Kulla në Boletin me flamur në dorë. Ai recitoi një poezi patriotike.

“Sot kemi ardhur për herë të parë te Kulla e Isa Boletinit, këtu për Ditën e Flamurit. Dita e Flamurit është një ditë e madhe, një ditë historike, është një ditë që nuk harrohet kurrë në historinë e popullit shqiptar. Është ditë e tërë shqiptarisë, është ditë historike, është ditë e flamurit që rrezaton në të gjithë popullin shqiptar”- tha nënkryetari i Shoqatës “Ali Hadri” nga Istogu.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, zyrtarë të tjerë të institucioneve qendrore e lokale bënë homazhe pranë varrit të heroit Isa Boletini.

Sipas Bashës, festimi i dykrenares i ngritur në Lezhë në vitin 1443, dalja publike e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës në Llaushë në vitin 1997, shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë janë arsyet që bënë bashkë qytetarët në vendlindjen e Isa Boletinit, sot më 28.11.2025.

“Ky burrë i madh i kombit gjithashtu i qëndroi pranë Qeverisë së Ismail Qemailit për ta mbrojtur atë pas shpalljes së Pavarësisë. Për ne, burrat e mëdhenj si Isa Boletini janë zakonisht vlerë e madhe e kombit tonë. Janë simbol i rezistencës por gjithashtu ai ishte një ushtar i paepur për çlirimin e trojeve shqiptare”- tha Basha para mediave.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha

Ndërsa, në Mitrovicë të Jugut ka atmosferë festive, me flamuj të vendosur në hapësira publike e qarkullim të qytetarëve me flamuj kombëtarë, të Kosovës e të UÇK-së.

Në Mitrovicë të Veriut nuk ishte e njëjta situatë.

Mitrovica e Jugut, 28.11.2025

 

Mitrovica e Veriut, 28.11.2025

Policia në Mitrovicë të Veriut i ka kthyer prapa veturat të cilat me simbole shtetërore e kombëtare tentonin të lëviznin në këtë pjesë të qytetit.

Petrit Fejza, shef i Operativës Rajonale të Policisë, tha për KALLXO.com se organet e rendit nuk po i lejojnë personat me flamuj të parakalojnë në veri të vendit me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.

Shqiptarët sot kremtojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Heroi Isa Boletini ka lindur në Boletin më 1864 ndërsa është vrarë në Podgoricë më 1916.