Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve

Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla së bashku me 17 të bashkakuzuar të tjerë u paraqiten sot në gjykatoren e Prishtinës, për t’u përballur me akuzat që prokuroria iu vë në barrë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Seanca e paraparë të mbahej sot, u shtye për shkak se prokurori special i rastit, Naim Abazi nuk ishte i pranishëm, si shkak – rast vdekje ndërsa prokurorja Sebahate Hoti që kishte ardhur për zëvëndësim u deklarua që nuk mund të vazhdojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve sepse nuk e njeh thelbësisht me rastin.

Trupi gjykues në këtë çështje përbëhet nga Arben Hoti, kryetar dhe Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala – anëtarë.

Tutje, kryetari i trupit gjykues në këtë çështje, Arben Hoti tha se vendimet për masat e paraburgimit për të akuzuarit, do të merren jashtë seancave gjyqësore.

Seancat gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve janë anuluar edhe në korrik të këtij viti, për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit nga të bashkakuzuarit, Ndue Palushi.

Seancat e radhës lidhur më këtë çështje pritet të mbahen në shkurt 2024.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar, akuzohen se kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet lidhur me rastin Toka i gjeni në këtë link.