Gjykimi i Azem Sylës | Foto: KALLXO.com

Anulohet seanca gjyqësorë ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve

Seancat gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve janë anuluar për shkak të gjendjes shëndetësore të njërit nga të bashkakuzuarit, Ndue Palushi.

Kryetari i trupit gjykues në këtë çështje, Arben Hoti ka konfirmuar për KALLXO.com se si shkak i anulimit të seancave të parapara me datat 26, 27 dhe 28 korrik për rastin ‘Toka’, është gjendja e rëndë shëndetësore e njërit nga të akuzuarit, Ndue Palushi.

I njëjti konfirmon se i pandehuri ka bashkangjitur dëshmi mjekësore.

Seanca gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve ishte shtyrë për në korrik, në muajin maj për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Azem Syla.

Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla së bashku me 17 të bashkakuzuar ishin paraparë të paraqiteshin sot dhe ditën e premte në gjykatoren e Prishtinës, për t`u përballur me akuzat që prokuroria iu vë në barrë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar, akuzohen se kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet lidhur me rastin Toka i gjeni në këtë link.