Shtyhet rigjykimi për vrasjen në Suharekë, ku gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit

Po ofrohen 5 vite që nga vrasja e të ndjerit Abedin Bytyqi, trupi i të cilit u dogj dhe më pas u mbulua me dhe në një mal në fshatin Peqan të Suharekës, ndërsa gjykimi për vrasjen e ndodhur me 6 tetor të vitit 2016, për të cilin po akuzohen Murat e Reshat Ademi, Fadil Fetiu dhe gruaja e të ndjerit Resmije Bytyqi, ka dështuar që të mbahet sot, sipas planifikimit.

Shkak i shtyrjes se seancës ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani tha se gjykatësja Arjeta Gashi mungon për arsye shëndetësore.

Duke i marrë parasysh këto rrethana, kryetari i trupit gjykues Osmani, mori vendim për shtyrjen e seancës për datë 7 nëntor.

Ndryshe, Prokuroria në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore të ndjerin Abedin Bytyqi kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo më 7 maj 2019, prokuroria e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016  me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të xhaxhait dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi,  ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, gjykata në Prizren 57 vite burgim i kishte shqiptuar tre të akuzuarve për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit, trupit të të cilit iu vu flaka pasi u vra.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë të ndjerin Abedin Bytyqin, gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale gjykata i shqiptoi 12 vite burgim. Kurse, i akuzuari  Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

Apeli, kishte konstatuar se aktgjykimi në aspektin kuantitativ ishte voluminoz, por me mungesa të theksuara të arsyetimit të provave.

Apeli, po ashtu kishte konstatuar se shkalla e parë kishte përpiluar një aktgjykim me 100 faqe, kurse arsyetimi i këtij aktgjykimi voluminoz më tepër përmbante një tregim të ngjarjes pa u thirrur në prova të cilat vërtetojnë ngjarjen.

Tutje, gjykata e shkallës së dytë e kishte udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të precizoj se në rastin konkret a kemi të bëjmë me vrasje mizore apo dinake apo me të dyja këto lloj vrasjesh, pasi nga vendimi i parë nuk ishte e qartë se për cilën formë të vrasjes bëhej fjalë.

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit