Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Shtyhet pika e 6-të e rendit të ditës, Lista Serbe bojkoton seancën e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka vendosur që të shtyjë për seancën e radhës votimin e shqyrtimit të parë për projektligjin nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Fridon Lala nga IRDK-ja ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për në seancën e radhës për arsye se për votimin e plotësim ndryshimit të këtij projektligji duhet përkrahrja edhe e 2/3 e komuniteteve për votim.

“Për arsye se ky komunitet mungon në sallë, atëherë propozoj që kjo pikë të shtyhet për seancën e radhës” ka thënë deputeti Lala.

Edhe Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar i AAK-së ka thënë se kanë pasur një debat në komision lidhur më këtë çështje, dhe të gjithë kemi qenë pro që të mbështet propozimi.

“Unë mendoj që si grupe parlamentare duhet të ulemi dhe të bëjmë një rishikim të festave zyrtare, pasi që në Kosovë i kemi disa festa zyrtare që janë vetëm në Kosovë, p. sh. Dita e Evropës”, ka thënë Tahiri.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po mungojnë deputetët e Listës Serbe.